Belshi drejt një modeli të ri të turizmit të qëndrueshëm, më 18 shtator përmbyllet projekti i zhvillimit të shërbimeve turistike

BELSH, 17 shtator 2026 /Albania Express News/- Bashkia Belsh do të zhvillojë më 18 shtator aktivitetin përmbyllës të projektit “Improving Belsh Municipality integrated services for sustainable tourism”, një nismë që synon forcimin e turizmit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në territorin e Belshit.

Projekti, i financuar nga Programi IADSA dhe i zbatuar nga Bashkia Belsh, në partneritet me Shoqatën Tjetër Vizion, CIES ETS dhe Universitetin e Elbasanit, ka zgjatur 24 muaj dhe ka pasur në fokus përmirësimin e shërbimeve turistike, promovimin e territorit dhe krijimin e mundësive të reja për komunitetin lokal.

Gjatë periudhës së zbatimit janë realizuar ndërhyrje në infrastrukturën dhe shërbimet turistike, ndërsa një rëndësi e veçantë i është kushtuar përdorimit të mjeteve inovative dhe digjitale për promovimin e Belshit si destinacion turistik.

Një tjetër komponent i rëndësishëm i projektit ka qenë forcimi i aftësive dhe krijimi i mundësive për formim dhe punësim për të rinjtë, gratë dhe aktorët lokalë të sektorit të turizmit, duke synuar një përfshirje më të gjerë të komunitetit në zhvillimin ekonomik të territorit.

Aktiviteti përmbyllës do të zhvillohet në zonën pranë Kullës Panoramike të Belshit, ku do të prezantohen rezultatet e projektit, eksperiencat e fituara gjatë 24 muajve dhe perspektivat për vijimin e nismave që lidhen me turizmin e qëndrueshëm.

Në aktivitet pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe italiane, strukturave zbatuese të projektit, pushtetit vendor dhe aktorëve të komunitetit.

Në axhendë është parashikuar fjala përshëndetëse e kryetarit të Bashkisë Belsh, Arif Tafani, si dhe ndërhyrje nga zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj, Sekretari i Parë i Ambasadës Italiane në Shqipëri, Mario De Rosa, dhe zëvendësdrejtoresha e AICS për Ballkanin Perëndimor, Letizia Fischioni.

Gjithashtu, përfaqësuesja e Shoqatës Tjetër Vizion, Diana Kasa, do të prezantojë aktivitetet e zhvilluara për forcimin e kapaciteteve dhe aftësive të të rinjve, grave dhe aktorëve lokalë.

Pas prezantimeve, pjesëmarrësit do të vizitojnë ambientet e Kullës Panoramike, një prej pikave me rëndësi në promovimin e potencialit turistik të Belshit.

Përmes këtij projekti, Belshi synon të vijojë konsolidimin e një profili turistik të mbështetur te pasuritë natyrore, kulturore dhe njerëzore të zonës, duke i lidhur ato me shërbime moderne, promovim digjital dhe përfshirje më të madhe të komunitetit.

Aktiviteti përmbyllës do të shërbejë gjithashtu si një moment për të diskutuar hapat e ardhshëm dhe mundësitë për ta kthyer përvojën e krijuar nga projekti në një bazë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në Belsh dhe në zonën e Dumresë.

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME