Bashkia Elbasan i bashkohet nismës për ndërgjegjësimin mbi demencën, Llatja: Të jemi më pranë familjeve në nevojë

ELBASAN, 17 shtator 2026 /Albania Express News/ – Bashkia Elbasan i është bashkuar nismës së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” për ndërgjegjësimin dhe informimin mbi demencën, në kuadër të Muajit Botëror të Alzheimerit dhe Konferencës Përfundimtare të COST Action CA21137 – Ethics in Dementia (EDEM).

Në mjediset e Fakultetit u prezantuan shërbimet sociale dhe komunitare që Bashkia Elbasan ofron për personat që jetojnë me demencë, si dhe për familjarët dhe kujdestarët e tyre. Nisma synon të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit mbi sfidat që shoqërojnë demencën dhe rëndësinë e mbështetjes institucionale e sociale.

Pjesë e kësaj fushate janë edhe veprimtaritë informuese dhe ndërgjegjësuese përmes mediave, rrjeteve sociale dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me komunitetin.

I pranishëm në konferencë, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore, akademike dhe shëndetësore për përmirësimin e mbështetjes ndaj personave me demencë dhe familjeve të tyre.

Llatja theksoi se Bashkia Elbasan mbetet e angazhuar për forcimin e shërbimeve sociale dhe komunitare, duke synuar që institucionet vendore të jenë më pranë qytetarëve dhe familjeve që përballen me këtë problematikë.

Në fokus të konferencës ishte edhe nevoja për një qasje më të koordinuar ndaj demencës, duke ndërthurur kujdesin shëndetësor me shërbimet sociale, mbështetjen familjare dhe përfshirjen e komunitetit.

Një pjesë e veçantë e programit ishte sesioni në gjuhën shqipe, i cili krijoi një hapësirë diskutimi dhe shkëmbimi përvojash mes akademikëve, profesionistëve të shëndetësisë dhe shërbimeve sociale, përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe komunitetit.

Nisma synon të sjellë në vëmendje nevojën për më shumë informim dhe ndërgjegjësim mbi demencën, si dhe për forcimin e shërbimeve në nivel vendor, me qëllim mbështetjen e personave të prekur dhe familjeve që kujdesen për ta.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME