Tiranë, 17 shtator 2026 /Albania Express News/- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka kërkuar forcimin e masave parandaluese ndaj zjarreve, duke theksuar se mbrojtja civile nuk mund të mbështetet vetëm te reagimi pas shpërthimit të emergjencave.
Nufi e bëri deklaratën gjatë hapjes së konferencës ndërkombëtare “Tirana Fire Safety 2026”, që po zhvillohet në Tiranë me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë, institucioneve publike, profesionistëve, akademisë, si dhe përfaqësuesve të industrisë së ndërtimit dhe teknologjisë.
“Nuk mund ta ndërtojmë mbrojtjen civile vetëm mbi reagimin. Ne duhet të jemi po aq të fortë në parandalim, sa ç’jemi edhe në reagim”, deklaroi ministri.
Duke iu referuar situatës së kësaj vere, të karakterizuar nga temperatura të larta dhe një numër i konsiderueshëm zjarresh, Nufi bëri të ditur se deri më 9 shtator 2026, sistemi i mbrojtjes civile është përballur me 81 raste zjarresh masive.
Sipas tij, për përballimin e këtyre situatave janë angazhuar mbi 14,600 forca, rreth 1,350 mjete tokësore dhe janë zhvilluar 180 operacione ajrore.
“Pas këtyre shifrave janë njerëz, orë pune, sakrifica dhe një përpjekje e përbashkët e Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse, strukturave të pushtetit vendor, Policisë së Shtetit, shërbimeve pyjore, administratave të zonave të mbrojtura, vullnetarëve dhe të gjithë aktorëve të tjerë të sistemit”, u shpreh Nufi.
Siguria nga zjarri, pjesë e projektimit të ndërtesave
Ministri i Mbrojtjes u ndal edhe te zhvillimi urban dhe ndërtimi i strukturave gjithnjë e më të mëdha e komplekse, duke argumentuar se standardet e sigurisë nga zjarri duhet të rriten paralelisht me zhvillimin e qyteteve.
Sipas tij, siguria nuk duhet të trajtohet si një element që shtohet në fund të procesit të ndërtimit, por duhet të jetë pjesë e projektimit që në fazat e para.
“Sigurinë s’mund ta marrim si të mirëqenë dhe siguria s’mund të jetë asnjëherë një mendim i mëvonshëm. Ajo duhet të projektohet që në fillim!”, theksoi Nufi.
Ai vuri në dukje nevojën për standarde të qarta, projektim të sigurt, zbatim korrekt të kërkesave teknike, inspektim efektiv dhe përdorim të teknologjive moderne.
Ministri theksoi gjithashtu se sistemi i mbrojtjes civile, në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen civile”, e vendos në qendër zvogëlimin e riskut, parandalimin, gatishmërinë, koordinimin dhe aftësinë ripërtëritëse të komuniteteve.
Bashkëpunim më i madh me ekspertët dhe sektorin privat
Sipas Nufit, siguria nga zjarri kërkon një bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shtetërore, pushtetit vendor, ekspertëve, akademisë dhe sektorit privat.
“Siguria nga zjarri nuk është vetëm një detyrim teknik apo administrativ – ajo është pjesë e sigurisë publike, e cilësisë së zhvillimit urban dhe e qëndrueshmërisë së komuniteteve tona”, deklaroi ai.
Në këtë kuadër, ministri e cilësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian si një mundësi për rritjen e standardeve, trajnimin e personelit, zhvillimin e kapaciteteve të ndërveprueshme dhe përvetësimin e praktikave më të mira evropiane.
Nufi tha se Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe institucionet e tjera do të vijojnë të mbështesin nisma që synojnë më shumë standarde, ekspertizë, teknologji dhe bashkëpunim, me fokus forcimin e kulturës së parandalimit dhe uljen e dëmeve nga emergjencat civile.
Konferenca ndërkombëtare “Tirana Fire Safety 2026” zhvillohet për dy ditë në “Tirana International Hotel” dhe mbledh së bashku ekspertë ndërkombëtarë, profesionistë të industrisë, autoritete publike, inxhinierë, konsulentë, prodhues dhe përfaqësues të sektorit të ndërtimit.

