TIRANË, 16 shtator 2026 /Albania Express News/- Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka reaguar me një mesazh prekës pas ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Dine Abazit, një prej figurave të njohura të mjekësisë shqiptare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu shprehu trishtimin për humbjen e mjekut të njohur kardiolog, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në shëndetësinë shqiptare, si dhe figurën e tij njerëzore e profesionale.
Ministrja e përshkruan Prof. Dr. Abazin si një mjek të nderuar kardiolog, profesionist me përvojë të gjatë dhe drejtues e përfaqësues të denjë të mjekësisë shqiptare.
Sipas saj, për dekada me radhë ai i shërbeu shëndetësisë shqiptare me dije, përvojë dhe përgjegjësi, duke lënë pas jo vetëm kontributin profesional, por edhe shembullin e një mjeku që e konsideronte profesionin si mision dhe shërbimin ndaj njerëzve si përgjegjësi.
Në mesazhin e saj, Spahiu është ndalur edhe te dimensioni njerëzor i Prof. Abazit, duke e cilësuar si një njeri të qetë, të matur dhe të përkushtuar, që e fitonte respektin natyrshëm përmes sjelljes, urtësisë dhe respektit ndaj të tjerëve.
“Profesor Abazi ishte nga ata njerëz që nuk të imponoheshin me praninë e tyre. Ta fitonin respektin natyrshëm”, shkruan ministrja, duke e cilësuar këtë si një prej kujtimeve më të bukura që mund të lërë pas një njeri.
Në përfundim të mesazhit, ministrja Spahiu shprehu ngushëllimet për familjarët, miqtë dhe të afërmit e Prof. Dr. Dine Abazit.
“U prehtë në paqe e ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, të afërmve!”, shkruan ajo.

