NGA FATMIR POPJA
KAVAJË ,16 shtator 2026 /Albania Express News/-Besa e Kavajës po merr formë si një prej skuadrave protagoniste të Kategorisë së Parë dhe pas këtij starti mbresëlënës në pankinë qëndron një emër i njohur i futbollit shqiptar: Gugash Magani.
Verdhezinjtë kanë regjistruar një tjetër fitore të thellë, duke mposhtur 5-0 Orikun në Kavajë dhe duke u ngjitur në krye të renditjes. Një sukses që vjen vetëm pak ditë pas fitores 4-0 në transfertën e Librazhdit.
Besa e zgjidhi shumë shpejt ndeshjen. Në minutën e 7-të, Redon Danaj gjeti rrjetën dhe vendosi skuadrën kavajase në avantazh. Më pas, Oriku rezistoi deri në pjesën e dytë, por pas minutës së 60-të gjithçka u kthye në një festival golash.
Kapiteni Ermir Spahiu dyfishoi shifrat në minutën e 62-të, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Fatmir Prenga realizoi golin e tretë. Melsi Çereni shënoi 4-0, ndërsa “5 yjet” e fitores i vendosi 16-vjeçari Haxhi Rrena, duke kompletuar një tjetër goleade për Besën.

Gugash Magani, përvoja që po i jep tjetër fytyrë Besës
Në qendër të këtij starti është Gugash Magani, një prej trajnerëve me eksperiencën më të gjatë në futbollin shqiptar dhe trajneri që mban rekordin për numrin e ndeshjeve të drejtuara në pankinë.
Eksperienca e Maganit po shoqërohet tashmë edhe me rezultate konkrete. Besa jo vetëm që po fiton, por po e bën këtë me diferenca të mëdha golash, duke shfaqur një skuadër që luan me besim dhe efikasitet.
9 gola të shënuar dhe asnjë gol i pësuar në dy ndeshjet e fundit janë treguesi më i qartë i momentit që po kalon skuadra kavajase.
Me kreun e renditjes tashmë në duar, Besa po i rikthen tifozëve verdhezinj entuziazmin dhe besimin se këtë sezon mund të luhet një rol i rëndësishëm.
Gugash Magani, me eksperiencën e tij të gjatë dhe rekordin e ndeshjeve në pankinë, po udhëheq një skuadër që duket se e ka nisur kampionatin me një mesazh të qartë: Besa është këtu për të qenë protagoniste.
Dy fitore, nëntë gola, asnjë të pësuar dhe vendi i parë. Fillimi është më shumë se premtues për Besën e Gugash Maganit.

