TIRANË, 16 shtator 2026 /Albania Express News/ – Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Trupi gjykues i ka shpallur të katër penalisht përgjegjës për një sërë krimesh lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Në total, dënimet e shqiptuara ndaj katër të akuzuarve arrijnë në 81 vite burgim:
- Hashim Thaçi – 25 vite burgim
- Kadri Veseli – 18 vite burgim
- Rexhep Selimi – 13 vite burgim
- Jakup Krasniqi – 25 vite burgim
Sipas aktgjykimit, krimet për të cilat trupi gjykues gjeti përgjegjësi ishin të rënda dhe të përhapura gjerësisht. Ato, sipas gjykatës, përfshinin 14 komuna të Kosovës dhe dy rrethe në veri të Shqipërisë.
Në të njëjtën kohë, trupi gjykues i ka shpallur të katër ish-drejtuesit të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Dënimet individuale
Për Rexhep Selimin, trupi gjykues përcaktoi dënime të veçanta prej 6 vitesh për ndalim të paligjshëm, 2 vitesh për trajtim mizor, 8 vitesh për torturë dhe 11 vitesh për vrasje të paligjshme. Dënimi përfundimtar i njësuar u përcaktua në 13 vite burgim, duke marrë në konsideratë edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Jakup Krasniqi u dënua me 15 vite për ndalim të paligjshëm, 4 vite për trajtim mizor, 20 vite për torturë dhe 23 vite për vrasje të paligjshme. Dënimi i njësuar për të është 25 vite burgim, ku gjithashtu llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Sa i përket Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, trupi gjykues i shpalli fajtorë për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme. Thaçi u dënua me 25 vite, ndërsa Veseli me 18 vite burgim.
Vendimi i shpallur sot është aktgjykim i shkallës së parë. Palët kanë të drejtë ta apelojnë vendimin pranë panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Albania Express News do të vijojë të raportojë për zhvillimet dhe reagimet pas shpalljes së këtij aktgjykimi.

