TIRANË ,14 shtator 2026 /Albania Express News/-Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Lili Sula, tha sot në nisje të vitit të ri shkollor se arsimi shqiptar është jashtë çdo standardi.
Sipas saj, ky vit shkollor fillon me të paktën katër mashtrime dhe projekte propagandistike nga qeveria.
Së pari, Sula cilësoi si manipulim rezultatet e testimit PISA 2025, teksa shtoi se qeveria po u jep “nxënësve mësimin më të shëmtuar në prag të nisjes së shkollës që të gënjejnë dhe mashtrojnë”.
Së dyti, Sula u ndal tek projekti Smart City.
“Kryen survejimin e fëmijëve në shkolla si pjesë e projektit Smart City, në shkelje të ligjeve të vendit dhe të disa ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, si dhe duke dhunuar liritë e individit që janë parakusht themelet për rritjen dhe arsimimin e nxënësve”, tha ajo.
Anëtarja e kryesisë së PD-së, tha gjithashtu se projekti “Pas Shkolle” është i dështuar, duke shtuar se qeveria “nuk përmend asnjëherë ngrënien e fëmijëve, kuzhinat, mensat apo kushtet higjienike, të cilat nuk përmbushin asnjë standard që nxënësit të qëndrojnë në shkollë”.
Së katërti tha ajo, “qeveria mashtron mësuesit dhe qytetarët për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në shkolla sipas dokumentit të publikuar para pak ditësh, sepse nuk u ka siguruar shkollave infrastrukturë digjitale, lënda e TIK -ut nuk zhvillohet dhe as që ka marrë mundimin të bëjë trajnime për mësuesit”.
Sula tha se më dramatik është fakti se shkollat janë boshatisur apo mbyllur nga keqqeverisja.
“Partia Demokratike zotohet se në krye të qeverisë do të rikthejë arsimin si prioritet kombëtar, duke e nxjerrë arsimin nga rekordet që e listojnë në fund të botës dhe do t’i kthejë dinjitetin dhe statusin që meriton mësuesit”, tha ajo.

