PRISHTINË, 14 shtator 2026 /Albania Express News/ – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje deputetëve dhe liderëve politikë që të përmbyllin sa më shpejt procesin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke paralajmëruar se rikthimi i vendit në zgjedhje të reja do të ishte në dëm të qytetarëve dhe interesit të shtetit.
Në mbledhjen solemne të Qeverisë së re, Kurti deklaroi se pas konstituimit të Kuvendit dhe votimit të kabinetit qeveritar, zgjedhja e presidentit mbetet çështja kryesore që kërkon zgjidhje.
Kreu i ekzekutivit iu referua edhe marrëveshjes politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së lidhur me kandidatin për president, ndërsa shprehu shqetësimin për kundërshtimin e saj nga disa deputetë të LDK-së.
Sipas Kurtit, Kosova ndodhet pranë një zgjidhjeje dhe deputetët duhet të marrin përgjegjësinë për të shmangur një tjetër proces zgjedhor.
“Si kryetar i LVV-së dhe si kryeministër, ju bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve: le ta zgjidhim çështjen e presidentit”, u shpreh Kurti.
Ai e cilësoi si të panevojshëm rikthimin te zgjedhjet, duke argumentuar se proceset e fundit zgjedhore nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha në përbërjen politike të vendit.
Kurti theksoi se një tjetër palë zgjedhjesh do të krijonte kosto të panevojshme politike dhe institucionale, ndërsa vendi ka nevojë për funksionimin e plotë të institucioneve.
Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi nga deputetët që të veprojnë me përgjegjësi dhe të mundësojnë zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që institucionet e Kosovës të vijojnë punën pa pengesa.
Ndërkohë, Kurti deklaroi se qeveria e re do të ketë në fokus shërbimin ndaj qytetarëve dhe mbrojtjen e interesit shtetëror, duke e cilësuar stabilitetin institucional si një prej prioriteteve kryesore të mandatit të ri.

