Berisha ngre alarmin për rënien e numrit të nxënësve: Shqipëria humbi rreth 5,900 brenda një viti

TIRANË, 14 shtator 2026 /Albania Express News/- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përcjellë një mesazh me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor 2026–2027, duke uruar nxënësit, mësuesit dhe prindërit shqiptarë, por njëkohësisht duke ngritur shqetësimin për rënien e numrit të nxënësve në arsimin fillor.

Berisha e ka cilësuar situatën si një “alarm të madh demografik dhe arsimor”, duke iu referuar shifrave që, sipas tij, tregojnë një tkurrje të ndjeshme të numrit të fëmijëve në sistemin arsimor.

Sipas kreut të PD-së, brenda vetëm një viti numri i nxënësve të arsimit fillor ka rënë nga 146,962 në 141,089, që përkthehet në rreth 5,900 nxënës më pak, ose një tkurrje prej rreth 4 për qind.

Berisha e ka krahasuar këtë zhvillim me situatën në Bashkimin Europian, ku, sipas tij, rënia e numrit të nxënësve ka qenë rreth 0.2 për qind.

“Shqipëria po humbet fëmijët e saj me një ritëm shumë më të shpejtë se Europa”, u shpreh Berisha, duke e lidhur këtë situatë me shpopullimin, emigracionin dhe tkurrjen e familjeve shqiptare.

Në mesazhin e tij, Berisha u drejtua veçanërisht edhe ndaj fëmijëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, duke i uruar një vit të mbarë dhe plot dije, suksese e ëndrra.

Reagimi i plotë i Sali Berishës:

“Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,

Së pari, urimin më të përzemërt për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit shqiptarë në këtë ditë të veçantë për ta dhe për mbarë kombin.

Një urim të veçantë, nga zemra, për vogëlushet dhe vogëlushët që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës. Uroj që ky vit i ri shkollor të jetë për ta një vit i mbarë dhe plot suksese, dije dhe ëndrra të bukura.

Por, të dashur miq, viti i ri shkollor 2026–2027 e gjen Shqipërinë përballë një alarmi të madh demografik dhe arsimor.

Në vetëm një vit, Shqipëria ka humbur rreth 5,900 nxënës të arsimit fillor. Numri i tyre ka rënë nga 146,962 në 141,089, një tkurrje prej rreth 4%, ndërkohë, në Bashkimin Europian rënia ishte vetëm 0.2%. Pra, Shqipëria po humbet fëmijët e saj me një ritëm shumë më të shpejtë se Europa.

Ky është rezultati i një politike që nuk ka arritur të ndalë shpopullimin, emigracionin dhe largimin e familjeve shqiptare. Shqipëria po zbrazet, por narkoqeveria që është dhe shkaku i zbrazjes është vetëm e kënaqur me këtë!”

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME