Nga Imer Hysa
BURREL, 8 shtator 2026 /Albania Express News/- Poezia, letërsia dhe kultura shqiptare u bënë bashkë në Burrel, në një ditë të veçantë kushtuar artit të fjalës dhe figurës së një prej emrave më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, Pjetër Budit.
Mbi 60 poetë dhe krijues nga Shqipëria, Kosova, trevat shqiptare, diaspora dhe vende të tjera ku jetojnë e krijojnë shqiptarë morën pjesë në Festivalin e 10-të Kombëtar të Poezisë “Muza poetike budiane”, zhvilluar më 5 shtator 2026 në qytetin e Burrelit.
Edicioni i dhjetë shënoi një përvjetor të rëndësishëm për këtë veprimtari kulturore, e cila këtë vit nuk ishte konkurruese, por u konceptua si një festival poetik jubilar, ku krijuesit u mblodhën për të ndarë poezinë, miqësinë dhe përvojat e tyre letrare.
Veprimtaria u organizua nën kujdesin e Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat dhe drejtuesve të tij, prof. Hamdi Hysuka, Fatmir Neli dhe Lindita Doda.

Homazh për Pjetër Budin
Aktiviteti nisi që në orët e mëngjesit me pritjen e poetëve dhe krijuesve të ardhur nga treva të ndryshme shqiptare. Pas një kafeje mikpritëse pranë sheshit “Ahmet Zogu”, pjesëmarrësit u mblodhën pranë bustit të Pjetër Budit, ku vendosën kurora me lule në nderim të figurës së shquar të kulturës dhe letërsisë shqiptare.
Pas fotografisë së përbashkët, poetët dhe të ftuarit vijuan drejt Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda”, ku u zhvillua festivali.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, prof. Hamdi Hysuka, vlerësoi rrugëtimin dhjetëvjeçar të festivalit dhe kontributin e krijuesve që kanë qenë pjesë e tij.
Ai theksoi se gjatë një dekade në Mat janë mbledhur poetë dhe shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova, trevat shqiptare dhe diaspora, duke sjellë krijimtarinë, librat dhe përvojat e tyre.
Sipas tij, dhjetë vitet e festivalit kanë sjellë dhjetëra çmime, qindra krijime poetike, promovime librash, takime me autorë dhe, mbi të gjitha, një rrjet të gjerë miqësish letrare.

Në fokus figura dhe vepra e Pjetër Budit
Një moment i rëndësishëm i festivalit ishte fjala e poetit dhe studiuesit të letërsisë, Behar Gjoka, i cili u ndal te 460-vjetori i lindjes së Pjetër Budit, duke trajtuar figurën, veprën dhe rëndësinë e tij në historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Përmes referimit të tij u vu në pah kontributi i Budit dhe rëndësia e ruajtjes së kujtesës kulturore e letrare shqiptare.
Të pranishmit ndoqën gjithashtu një dokumentar kushtuar historisë dhjetëvjeçare të Klubit Letrar “Pjetër Budi”, duke sjellë në vëmendje aktivitetet, kontributet dhe rrugëtimin e këtij institucioni në jetën kulturore të Matit.
Promovohen tre vepra letrare
Në kuadër të festivalit jubilar u zhvilluan edhe tre promovime librash.
Bëhet fjalë për “Shtegu i mbramë”, vëllimi i parë me poezi i autores matjane Liljana Ceni; “Shtigjet e përgjakura”, vepër e autorit Ali Daci nga Rozhaja e Malit të Zi, si dhe “Udhët e mërgimit”, e autores Trandafile Molla (Baja), nga Novara e Italisë.
Promovimet u shoqëruan me diskutime dhe vlerësime mbi krijimtarinë e autorëve dhe vendin që zënë veprat e tyre në letërsinë bashkëkohore shqiptare.

Poetë nga Shqipëria, Kosova, trevat shqiptare dhe diaspora
Në edicionin jubilar morën pjesë një numër i madh krijuesish, mes tyre Basir Bushkashi, Adivije Hoxha, Farida Ramadani, Agim Bajrami, Shpend Topollaj, Fatbardha Kaçi, Emi Krosi, Mevlud Buçi, Xheladin Mjeku, Qamil Hoxha, Miranda Troci (Derti), Rabije Bytyçi, Mimoza Marjanaku, Sunaj Raimi, Liljana Ceni, Emrah Bilalli, Ali Daci, Kozma Billa, Sevdail Demiri, Valentina Kurti, Vilma Nika, Luftar Pepmarku, Trandafile Molla (Baja), Safet Syla, Ruzhdi Begaj, Faik Xhani, Ramë Oraca, Elona Basha, Myrteza Mara, Rubjana Nika, Bajram Canameti, Selajdim Shabani, Hekuran Halili, Naim Aliaj, Lulzim Cuka, Ymer Hysa dhe Bukurie Buçpapaj.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu personalitete të njohura të letërsisë, kulturës dhe jetës publike, ndër të cilët kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, prof. Mujo Buçpapaj; kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës, prof. Shyqri Galica; kryetarja e LShA-së me qendër në Novara të Italisë, Trandafile Molla (Baja); Ali Daci, kryetar i Manifestimit Tradicional Kulturor “Ora e Maleve”, Rozhajë; Adnan Mehmeti, president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, si dhe drejtues të lidhjeve të shkrimtarëve në rrethe të ndryshme.

Ndarja e çmimeve jubilare
Edhe pse edicioni i dhjetë nuk ishte konkurrues, Klubi Letrar “Pjetër Budi” ndau disa vlerësime dhe çmime jubilare për krijues dhe personalitete që kanë dhënë kontribut në letërsi dhe kulturën shqiptare.
Çmimi letrar “Pjetër Budi” Mat iu dha Hekuran Halilit, kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë në Sarandë, për poezinë “Unë dhe Çamëria”.
Çmimi letrar “Hamit Aliaj” iu dha Ali Dacit, kryetar i Manifestimit Tradicional Kulturor “Ora e Maleve”, Rozhajë, Mali i Zi, për poezinë “I njeh shqipja bijtë e vet”.
Ndërkohë, Çmimi i Karrierës iu dha studiuesit Behar Gjoka, për kontributin në studimet letrare, kritikën, gazetarinë, botimin dhe promovimin e kulturës shqiptare.
Një tjetër Çmim i Karrierës iu akordua Flora Brovinës, në vlerësim të veprimtarisë së saj në letërsi, gazetari, humanizëm dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të gruas.
Në kuadër të edicionit jubilar u shpallën gjithashtu Anëtarë Nderi të Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat Prof. Dr. Mujë Buçpapaj, Prof. Dr. Sunai Raimi dhe Namik Dokle, për kontributet e tyre në letërsi, studime, publicistikë, botim dhe kulturën shqiptare.
Një ditë e mbushur me poezi, miqësi dhe traditë
Festivali u mbyll me një drekë tradicionale të organizuar nga Klubi Letrar “Pjetër Budi” në nderim të pjesëmarrësve dhe të ftuarve.
Përveç gatimeve tradicionale matjane dhe produkteve bio, atmosfera u shoqërua me këngë, valle dhe përshëndetje mes poetëve dhe miqve të letërsisë.

Edicioni i dhjetë i “Muzës poetike budiane” dëshmoi edhe një herë se poezia mund të shërbejë si një urë lidhëse mes krijuesve shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë dhe krijojnë.
Një dekadë pas nisjes së tij, festivali vijon të ruajë misionin për të promovuar poezinë shqipe, autorët dhe trashëgiminë letrare shqiptare, duke e kthyer Burrelin në një pikëtakim të rëndësishëm të krijuesve.
“Na bashkoi Muza Budiane” ishte mesazhi që përcolli ky edicion jubilar – një ditë e cilësuar nga pjesëmarrësit si e veçantë dhe e paharruar, e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre.


