NGA ÇAPAJEV GJOKUTAJ
TIRANË , 05 shtator 2026/Albania Express News/-Fshati i sotëm na shfaqet në një kundërvenie të mprehtë: për disa është djepi i mallit, identitetit dhe fëmijërisë; për të tjerë mbetet një realitet i ashpër ekonomik e shoqëror. Kjo kundërvenie buron nga dy pikëvështrime të ndryshme.
Ata që nuk e braktisin e përjetojnë në përditshmëri, pa filtra, një hapësirë ku dashuria për tokën shpesh mbulohet nga izolimi, mungesa e infrastrukturës dhe pamundësia për të ndërtuar një të ardhme komode.
Ata që ikin e marrin fshatin me vete në formë kujtimesh dhe përmes mallit e idealizojnë. Qyteti u ofron komoditet material, por u merr qetësinë shpirtërore dhe e kthen origjinën në një strehë ideale ku “jeta kishte kuptim”.
Fshati në ëndërr është qetësia e natyrës, ajri i pastër, gjelbërimi, mikpritja dhe solidariteti i komunitetit, jeta e thjeshtë pa stresin e orarit, trafikut, teknologjisë. Fshati në zhgjëndërr është izolimi fizik e shoqëror, mungesa e perspektivës, puna e rëndë me shpërblim minimal financiar, varfëria strukturore dhe zbrazja e shtëpive një nga një.
Mbetet i bukur për sa kohë vizitohet si vend pushimi apo kujtohet si poezi, por bëhet vështirë i përballueshëm kur shndërrohet në përditshmëri me pak kushte bazë jetese. Njerëzit nuk e braktisin fshatin sepse ndalojnë së dashuri, por sepse dashuria për veten dhe të ardhmen e fëmijëve i detyron të kërkojnë më shumë se vetëm pejsazh dhe ajër të pastër.
Fshati përfaqëson mitin e zanafillës, vendin ku njeriu është ende i lidhur me tokën, me kohën ciklike të natyrës dhe me një jetë të thjeshtë. Kur e kujtojmë apo e ëndërrojmë, kërkojmë jo vetëm një hapësirë gjeografike, por origjinën e humbur. Qyteti na ofron funksion, por na fragmentizon e na kthen në anonimë; fshati na ofron përkatësi, por na ngushton mundësitë e vetrealizimit.
Malli është edhe krijimtari: të larguarit nuk e duan fshatin siç është, por siç e kujtojnë. Kujtimet fshijnë baltën dhe mundimin, lënë vetëm dritën e perëndimit a freskinë e agimit.
Mes këtyre përfytyrimeve lind edhe një lloj fajësie: braktisja e fshatit përjetohet si braktisje e rrënjëve dhe varreve të të parëve. Ndërkohë, për ata që mbeten, fshati pushon së qeni poezi dhe bëhet kornizë e ngushtë, një burg i zanafillës ku njeriu vështirë se ka hapësirë të mjaftueshme për t’u bërë vetvetja.
Paradoksi i fshatit qëndron në faktin se ai është sakrifica e nevojshme e progresit. Për t’u bërë “modern”, njeriu duhej të shkëputej nga toka, por kjo shkëputje lë një zbrazëti që asgjë urbane nuk e mbush dot plotësisht. E braktisim fshatin për t’u bërë dikushi dhe pastaj kalojmë pjesën tjetër të jetës duke dashur të kthehemi atje ku ishim thjesht vetvetja!

