Fshati edhe ëndërr, edhe zhgjëndërr

NGA ÇAPAJEV GJOKUTAJ

TIRANË , 05 shtator 2026/Albania Express News/-Fshati i sotëm na shfaqet në një kundërvenie të mprehtë: për disa është djepi i mallit, identitetit dhe fëmijërisë; për të tjerë mbetet një realitet i ashpër ekonomik e shoqëror. Kjo kundërvenie buron nga dy pikëvështrime të ndryshme.

Ata që nuk e braktisin e përjetojnë në përditshmëri, pa filtra, një hapësirë ku dashuria për tokën shpesh mbulohet nga izolimi, mungesa e infrastrukturës dhe pamundësia për të ndërtuar një të ardhme komode.

Ata që ikin e marrin fshatin me vete në formë kujtimesh dhe përmes mallit e idealizojnë. Qyteti u ofron komoditet material, por u merr qetësinë shpirtërore dhe e kthen origjinën në një strehë ideale ku “jeta kishte kuptim”.

Fshati në ëndërr është qetësia e natyrës, ajri i pastër, gjelbërimi, mikpritja dhe solidariteti i komunitetit, jeta e thjeshtë pa stresin e orarit, trafikut, teknologjisë. Fshati në zhgjëndërr është izolimi fizik e shoqëror, mungesa e perspektivës, puna e rëndë me shpërblim minimal financiar, varfëria strukturore dhe zbrazja e shtëpive një nga një.

Mbetet i bukur për sa kohë vizitohet si vend pushimi apo kujtohet si poezi, por bëhet vështirë i përballueshëm kur shndërrohet në përditshmëri me pak kushte bazë jetese. Njerëzit nuk e braktisin fshatin sepse ndalojnë së dashuri, por sepse dashuria për veten dhe të ardhmen e fëmijëve i detyron të kërkojnë më shumë se vetëm pejsazh dhe ajër të pastër.

Fshati përfaqëson mitin e zanafillës, vendin ku njeriu është ende i lidhur me tokën, me kohën ciklike të natyrës dhe me një jetë të thjeshtë. Kur e kujtojmë apo e ëndërrojmë, kërkojmë jo vetëm një hapësirë gjeografike, por origjinën e humbur. Qyteti na ofron funksion, por na fragmentizon e na kthen në anonimë; fshati na ofron përkatësi, por na ngushton mundësitë e vetrealizimit.

Malli është edhe krijimtari: të larguarit nuk e duan fshatin siç është, por siç e kujtojnë. Kujtimet fshijnë baltën dhe mundimin, lënë vetëm dritën e perëndimit a freskinë e agimit.

Mes këtyre përfytyrimeve lind edhe një lloj fajësie: braktisja e fshatit përjetohet si braktisje e rrënjëve dhe varreve të të parëve. Ndërkohë, për ata që mbeten, fshati pushon së qeni poezi dhe bëhet kornizë e ngushtë, një burg i zanafillës ku njeriu vështirë se ka hapësirë të mjaftueshme për t’u bërë vetvetja.

Paradoksi i fshatit qëndron në faktin se ai është sakrifica e nevojshme e progresit. Për t’u bërë “modern”, njeriu duhej të shkëputej nga toka, por kjo shkëputje lë një zbrazëti që asgjë urbane nuk e mbush dot plotësisht. E braktisim fshatin për t’u bërë dikushi dhe pastaj kalojmë pjesën tjetër të jetës duke dashur të kthehemi atje ku ishim thjesht vetvetja!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Testohen 52 hibride misri në Shkodër, Salla: Rrisim cilësinë e prodhimit

TIRANË , 05 shtator 2026/Albania Express News/-Qendra e Transferimit...

Sopoti trondit Bylisin në Ballsh, eurogoli i Atandës në shtesë ndez festën e madhe të Librazhdit

NGA FATMIR POPJA BALLSH / LIBRAZHD ,5 shtator 2026/Albania Express...

Tensionet rriten në Gjirin Persik, SHBA shkatërron tre anije iraniane: Kostoja do të jetë edhe më e madhe

TIRANË , 05 shtator 2026/Albania Express News/-Ushtria amerikane deklaroi...

Hoxhallarët që kontribuan në themelimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptare

TIRANË , 05 shtator 2026/Albania Express News/-Në historinë e...