Nga Ledjan Zeqollari, studiues/ Eduard Zaloshnja, analist
Më një traditë të vyer, gjithnjë e më shumë ky qytet po josh vizitorë. Sepse natyrës së qytetit i shtohet edhe trashëgimia kulturore, si lagjja muze, evente dhe festivale lokale, të cilat i japin vizitorit një përvojë të paharrueshme.

1-Liqeni në UNESCO
Prej vitit 2019 liqeni i Pogradecit është pjesë listës së Trashëgimisë Botërore që mbrohet nga UNESCO, i vlerësuar si një prej tre liqeneve më të vjetër në botë. Kthjelltësia e ujit, harmonizimi i relievit malor me liqenin vlerat dhe sitet e shumta arkeologjike kanë bërë që, sipas specialistëve, të klasifikohet si një muze i gjallë natyror. Krahas liqenit, pjesë e listës së UNESCO-s është edhe Bazilika Paleokrasiane e Linit, në të cilën gjenden mozaikë mjaft të rrallë të shekullit V-VI pas.e.sonë. Në verë ky liqen shfrytëzohet nga vizitorët për plazh, si dhe për sporte ujore.

2-Vendbanimet prehistorike
Vitet e fundit në fshatin Buqezë, por dhe në perfieri të qytetit të Pogradecit, po zhvillohen projekte në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë dhe Universitetit e Bernës për zbulimin e vendbanimeve prehistorike të tipit ‘palafit‘ rreth 8100 vjet të vjetra. Sipas studiuesve, këto vendbanime e futin Pogradecin në listen e vendabinemve më të vjetra në Shqipëri e më gjerë. Kjo ka ngjallur interes mjaft të madh për vizitorët.

3-Varret Monumentale të Selcës së Poshtme
Janë pesë varre monumentale të cilat ndodhen rreth 40 km larg qytetit të Pogradecit, në zonën e Mokrës. Datimi i tyre i përket shekujve të IV-III para e.sonë dhe janë ndërtuar nga fisi ilir i Enkelejtëve dhe Desaretëve. Mënyra unikale e ndërtimit në faqet shkëmbore i bën ato mjaft të veçantë, duke ngjallur kureshtjen e kujtdo që i viziton.

4- Kalaja e qytetit
Kalaja e Pogradecit ndodhet në jugperëndim të liqenit, mbi qytetin e Pogradecit, në një kodër rreth 200 m të lartë. Në shek. IV para.e.sonë, ky banim u pajis me mure mbrojtëse dhe filloi të shërbejë si një qendër e vogël qytetare, banorët e të cilit merreshin kryesisht me bujqësi, peshkim dhe zeje të ndryshme. Me këtë vendbanim lidhet edhe emri i qytetit të sotshëm të Pogradecit i cili do të thotë “nënqytet”.

5-Gjurmët e Rrugës Egnatia
Në territorin Bashkisë Pogradec ndodhen disa degëzime të Rrugës Egnatia, rruga e famshme që lidhte në antikitet Romën me Kostandinopojën. Ka disa ura dhe fragmente të kësaj rruge të lashtë, duke filluar me urën e Golikut, urën e Terziut në Proptisht, dhe urën e Niçës. Rruga dallohet prej gurëve te mëdhej, që i gjejmë ne grykën e Llëngës, pranë luginës së Shkumbinit. Mendohet se në këtë rrugë ka kaluar dikur Çezari dhe Apostulli Paul në udhetimin nëpër Iliri.

5-Qendra Historike e Pogradecit
Përbën një hapësirë me vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore në të cilat dokumentohet zhvillimi historik i qytetit te Pogradecit. Në të gjenden një sërë objektesh të rëndsisë së veçantë të cilat i përkasin fillimit të shekullit XX, si Shkolla e Dytë Shqipe, Shtëpia e Lasgush Poradecit, Banesa e Vëllazërisë Icka etj. Pas restaurimit, kjo lagje është kthyer në një nga atraksionet kryesore të qytetit.

6-Kultura
Pogradeci njihet si qyteti i artit, kulturës dhe traditës së pasur shqiptare. Është qyteti i shkrimtareve të medhënj si Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Gjithashtu, Pogradeci është qyteti i piktoreve të mirënjohur Anastas Kostandini (Taso), Vangjo Vasili, Skënder Lako, Gentian Zeka etj. Atelietë e tyre janë kthyer tashmë në destinacione për vizitorët. Ka një traditë të pasur në artizanat, që përfaqësohet sot denjësisht nga artistët e gdhendjes në dru si Familja Icka, Basho etj.
Pogradeci ka një traditë shumë të pasur folklorike, me larmi kostumesh popullore dhe këngë e valle melodioze të frymëzuara nga bukuritë natyrore të zonës, sidomos të dy krahinave Mokër dhe Gorë.

7-Klima e mrekullueshme
Klima e përshtatshme dhe mjaft e shëndetshme e bën Pogradecin të jetë i vizitueshëm në çdo stinë. Klima është mesdhetare paramalore. Temperatura mesatare vjetore është 11°C, mesataret e muajve më të ftohtë e më të ngrohtë arrijnë përkatësisht 2.2° dhe 21.4°C. Sasia mesatare e reshjeve është 765 mm, kryesisht në dimër e në vjeshtë.
8-Burme të shumta ujore
Rreth katër kilometra nga Pogradeci ndodhet pika turistike e Drilonit, ku natyra nuk e ka kursyer bukurinë. Pemët e shumta dekorative dhe bimët e ndryshme janë në harmoni të plotë me ujrat e kristalta të lumit Drilon, rrugicat për shëtitje, urat karakteristike prej druri dhe zogjtë e bëjnë atë një nga vendet më të vizituara në këtë qytet. Qyteti i Pogradecit mbetet një destinacion i preferuar për vizitorët edhe në stinën e dimrit, sidomos kur ka reshje dëbore. Pamja piktoreske e liqenit dhe borës, i japin qytetit një sfond të mrekullueshëm.

9-Liqene Akullnajore
Një vlerë e shtuuar e Pogradecit janë edhe liqenet akullnajore të Lukovës, që gjenden në shpatin lindor të Malit Guri i Topit, afër fshatit Bishnicë, 1700 m dhe 1850 m mbi nivelin e detit. Janë dy liqene, Liqeni i Vogël dhe Liqeni i Madh, formuar në gropa akullnajore. Përreth tyre ka pyje ahu dhe bredhi me lartësi 20-22 m, diametër trungu 30 cm dhe moshë 160-170 vjet. Këto liqene shfrytezohen nga vizitorët vendas dhe të huaj për ushtrimet e aktiviteteve që lidhen me hiking, kamping etj.

10-Guri i Kamjes
Guri i Kamjes është një destinacion i veçantë natyror dhe historik. Ngrihet madhështor si një kështjellë natyrore në lartësi, mbi të cilin skalitja e proceseve natyrore ka krijuar mikroforma të çuditshme të cilat zgjojnë interes dhe kureshtje për syrin e vizitorit. Guri i Kamjes mbart vlera të rralla gjeomorfologjike, gjeologjike, si edhe kulturore me rëndësi lokale por edhe rajonale. Një aspekt i rëndësishëm historik që lidhet me Gurin e Kamjes është se pikërisht në këtë “fortesë” natyrore me 28 korrik të vitit 1912 u lidh Besa Gorare, ku patriotët nga Gora, Mokra dhe Opari, me në krye Kajo Babjenin e shumë partiotë të tjerë, ngritën flamurin dhe shpallen mëvetesine e krahinës.

11-Kulinaria
Kulinaria është një tjetër atraksion i Pogradecit. Vizitorët, përveçse për të shijuar magjinë e qytetit, vijnë edhe për kuzhinën tradicionale. Më i preferuari mbetet peshku koran, simboli i Pogradecit, por duke mos lënë pas edhe belushkën, që e freskët gatuhet në mënyra nga më të ndryshmet. Pogradeci, Tushemishti dhe Driloni për natyrën, kulinarinë, mikpritjen dhe liqenin që i fal gjithë hijeshinë, mbetet ndër atraksionet më të preferuara në Shqipëri. Lidhur me kulinarinë, në Pogradec zhvillohen festa tashmë të përvitshme siç janë “Festa e Verërave dhe Gështenjës“ si dhe“Festa e Koranit“, të cilat janë kthyer në një atraksion turistik për vizitorët.

12-Fshatrat turistikë Lin dhe Tushemisht, ku zhvilllohet agroturizmi
Lini është një fshat turistik buzë liqenit, dhe është i bukur jo vetëm nga ajo që i ka falur natyra, por edhe për traditat e hershme kulturore. Ky fshat, ashtu si e gjithë zona e Pogradecit është i njohur për traditën e punimeve artizanale. Gratë vazhdojnë të ruajnë traditën e punimeve të qilimave, në qëndisje, apo punimet me grep, të cilat i gjen të ekspozuara në ditët e sotme në panairet lokale, por edhe në ato kombëtare.

Tushemishti i vendosur 5 km larg qytetit të Pogradecit, ofron një pamje mahnitëse për të gjithë vizitorët. Shumë afër liqenit, Tushemishti ofron pamje të bukur në çdo stinë dhe plazh mahnitës në stinën e verës.
Në brendësi të fshatit gjenden shtëpi të vjetra (qindravjeçare), Kisha e Shën Pandelimonit, por vizitorët mund të shijojnë edhe gatimet tradicionale dhe starkinkat (mollët) e famshme të zonës. Një nga gjërat më pikante në brendësi të fshatit është shtëpia e “Teto Ollgës”, bashkë me shtatoren e ndërtuar për nder të aktores Violeta Manushi.


