Kryeministri Rama: Aeroporti i Tiranës kryeson rajonin, 6 milionë pasagjerë në vetëm gjashtë muaj

TIRANË ,04 shtator 2026 / Albania Express News /-Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të shënojë rritje të ndjeshme të trafikut ajror, duke kryesuar aeroportet e rajonit për numrin e pasagjerëve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës kryeson aeroportet e rajonit për numrin e pasagjerëve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026. 6 milionë pasagjerë në vetëm 6 muaj, me një rritje prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025”.

Rritja e trafikut ajror lidhet me shtimin e fluturimeve dhe destinacioneve, por edhe me rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve që zgjedhin Shqipërinë.

Tendenca e rritjes së trafikut është reflektuar edhe gjatë muajve të sezonit veror. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës regjistroi më 17 gusht një rekord historik, me 60,291 pasagjerë dhe 326 lëvizje avionësh brenda një dite. Ndërkohë që vetëm gjatë muajit gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës u regjistruan 1 milion e 717 mijë pasagjerë.

Kjo ecuri konfirmon zgjerimin e lidhjeve ajrore të Shqipërisë me tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e kërkesës për vendin si destinacion turistik, duke e pozicionuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës në një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në rajon.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME