PRISHTINË, 1 shtator 2026 / Albania Express News / – Në prag të inaugurimit të FIFA Academy në Kosovë, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur në takim përfaqësuesit e FIFA-s, me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e këtij projekti në zhvillimin e futbollit të të rinjve.
Ceremonia e inaugurimit do të zhvillohet sot, në orën 16:30, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, duke shënuar një moment të rëndësishëm për futbollin kosovar.
Në takim me Presidentin Ademi ishin Arnar Vidarsson, Udhëheqës i Programit për Zhvillimin e Talenteve (TDS) të FIFA-s në Kosovë, dhe Tomas Danilevicius, Konsulent Teknik Rajonal i FIFA-s.
Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e FIFA Academy në identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja, si dhe mbi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet FFK-së dhe FIFA-s për krijimin e mundësive të reja për futbollistët e rinj.
Sipas FFK-së, akademia në Kosovë është e para e këtij lloji në rajon, e treta në Evropë dhe njëra prej vetëm 15 akademive të krijuara nga FIFA në mbarë botën.
Presidenti Agim Ademi e ka cilësuar inaugurimin e akademisë si një moment të veçantë dhe historik, duke theksuar se ky projekt dëshmon besimin e FIFA-s në punën dhe vizionin e FFK-së për zhvillimin e futbollit në Kosovë.

Njëkohësisht, ky investim sjell edhe një përgjegjësi të madhe për krijimin e kushteve dhe mundësive të nevojshme që gjeneratat e reja të zhvillojnë potencialin e tyre në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare.
FIFA Academy pritet të luajë një rol të rëndësishëm në të ardhmen e futbollit kosovar, duke ofruar një platformë të strukturuar për zbulimin, formimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj.

