Gjethet e vjeshtës dhe inteligjenca artificiale

NGA NERTIL JOLE

TIRANË ,01 shtator 2026 / Albania Express News /-Vjeshta erdhi, por Inteligjenca Artificiale mund të na e sjellë kur të duam në një ekran edhe pa ardhur realisht, përmes imazheve apo videove me ndihmën e teknologjisë.

Çdo gjethe që bie, në një mënyrë a në një tjetër, i kthehet tokës dhe ushqen rrënjën. Kështu janë edhe sfidat, lodhjet, përpjekjet dhe vështirësitë e jetës. Ato nuk zhduken, por ushqejnë kohën që vjen.

Pra, asgjë nuk shkon dëm.

As e bukura nuk zbehet. Vetëm ndryshon ngjyrë. Sepse bukuria nuk është vetëm te dielli, te kaltërsia e detit apo te ditët e gjata të verës. Ajo është edhe te ngjyrat e vjeshtës në Voskopojë e Dardhë, te qetësia e natyrës, te ajri i pastër dhe oksigjeni i pishave. Atje nuk ka nevojë për Inteligjencë Artificiale për të krijuar një peizazh. Mjafton natyra.

Vjeshtën do ta quaja edhe si stinën e së vërtetës. Disa pemë i mbajnë gjethet, të tjera i lëshojnë. Por pikërisht kur bien gjethet, bëhet më e dukshme forca e trungut dhe e rrënjëve. Sepse jo çdo pemë që duket e gjelbër është domosdoshmërisht e fortë.

Pas verës, festave dhe pushimeve, vjeshta na kthen te gjërat thelbësore, te mendimi, puna, përpjekja dhe përgjegjësitë. Fëmijët kthehen në shkollë. Studentët hyjnë në auditorë. Njerëzit kthehen në punë. Jeta rifillon ritmin e saj.

Pikërisht këtu lind një nga paradokset e kohës sonë. Ndërsa teknologjia po bëhet gjithnjë e më e aftë të krijojë për ne, ekziston rreziku që ne të bëhemi gjithnjë e më pak të aftë të krijojmë vetë. Të shkruajmë pa ndihmë. Të mendojmë pa udhëzim. Të imagjinojmë pa algoritëm. Të ndiejmë pa filtër.

Edhe politika nuk i shpëton kësaj epoke.
Ajo përpiqet të ruajë kreditet, të fitojë vëmendje dhe të ndikojë te publiku në një hapësirë ku algoritmet tashmë janë bërë pjesë e betejës.

Edhe politika ka nevojë për një vjeshtë të saj, një periudhë kur bien gjethet e tepërta dhe mbetet për t’u parë forca e trungut. Për herë të parë në Shqipëri, duket sikur po ndihet edhe në politikë një lloj ere vjeshte.

Ky është një zhvillim pozitiv në vetvete.

Çdo reflektim është fuqi. Por që njerëzit t’u besojnë reflektimeve, nuk mjafton një imazh, një video apo një tekst i prodhuar shpejt.

Nevojitet e vërteta.

Politika e vjetër pyeste: “Me kë je?”, “Cilës parti i përket?”, “Cilin politikan mbështet?”
Politika e re duhet të pyesë ndryshe:
Çfarë zgjidh? Si e zgjidh? Dhe për kë?

Qytetarët kanë rritur pritshmëritë. Duan më mirë, më shumë dhe më drejt. Dhe kjo është ndoshta shenja më e mirë e një shoqërie që po ndryshon.

Edhe muzika “Autumn Leaves” që luaj në piano, mund të dukej sikur është krijuar sot nga Inteligjenca Artificiale. Por nuk është. Melodia e “Les feuilles mortes”, e njohur në mbarë botën si “Autumn Leaves”, është kompozuar nga Joseph Kosma, shumë kohë përpara se të ekzistonte Inteligjenca Artificiale.

Ndaj, përpara se të projektojmë të ardhmen tonë në aleancë me Inteligjencën Artificiale, të pranojmë fillimisht me përulësi çdo kritikë apo koment për punën dhe sjelljen tonë, pavaresisht se nga vjen apo ku shprehet.

Ky është komunikimi i hapur që kërkohet dhe pritet.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME