INTERVISTA
NGA ENDI TUFA /Tch
TIRANË , 30 gusht 2026/Albania Express News/-Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, flet ekskluzivisht për Top Channel në një intervistë me gazetarin Endi Tufa, ku prek të gjitha temat e aktualitetit të kuqezinjve në prag të nisjes së ndeshjeve zyrtare.
Maran flet për periudhën e gjatë të përgatitjeve, ndryshimet e shumta në skuadrat e lojtarëve, futbollistët që ende nuk kanë gjetur ekip, formën e tyre, afrimet e mundshme të emrave të rinj dhe filozofinë që kërkon të ndërtojë te Shqipëria.
Trajneri italian pranon vështirësitë, por thekson se ato nuk duhet të shërbejnë si alibi. Përkundrazi, sipas tij, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’i përballuar në mënyrën më të mirë ndeshjet e Nations League.
Maran rrëfen gjithashtu punën e bërë gjatë muajve të fundit, tregon se do të vizitojë rreth shtatë vende në vetëm 14 ditë për të ndjekur nga afër lojtarët dhe paralajmëron se mund të ketë edhe emra të rinj në Kombëtare.
Trajneri i kuqezinjve flet për agresivitetin që kërkon në fushë, rëndësinë e aktivizimit të lojtarëve në klubet e tyre, pritshmëritë e larta ndaj Shqipërisë dhe dëshirën për të ndërtuar një skuadër që t’i bëjë shqiptarët krenarë. Më poshtë, intervista e plotë:
“Pas qershorit kam një vizion më të qartë”
Gazetari: Pas dy ndeshjeve të para miqësore, lojtarët u kthyen te skuadrat e tyre për të përfunduar kampionatin dhe më pas erdhën pushimet. Shumë prej tyre kanë ndryshuar skuadër, ndërsa disa ende nuk kanë gjetur një të tillë. Sa e vështirë është të krijosh një grup në këtë situatë, kur pas pak javësh nis ndeshja e parë zyrtare?
Maran: Është e vështirë për të gjitha kombëtaret, sepse është fati i të gjitha ekipeve kombëtare të kenë një pauzë të madhe dhe më pas të ritakohen për të luajtur ndeshjet zyrtare. Në rastin tonë mbase është pak më e vështirë, sepse besoj se jemi një nga ato kombëtare ku lojtarët janë të shpërndarë pak a shumë në të gjithë botën. Kjo i bën pak më të vështira kontaktet, komunikimin dhe takimet. Por sot, me teknologjinë, video-telefonatat dhe udhëtimet që janë më të lehta, arrin të kesh një kontakt dhe komunikim të duhur. Pas këtyre dy ndeshjeve të qershorit, të cilat ishin miqësore dhe që i trashëgova vetëm 10 ditë përpara, pasi gjithçka ishte tashmë e programuar, tani kam mundësinë të shoh shumë gjëra dhe të kem një vizion më të qartë. Për mua ishte e rëndësishme, pavarësisht se e dija që ato dy ndeshje do të ishin një problem, sepse nuk e njihja mirë këtë grup.
Gazetari: Ndoshta as emrat?
Maran: Jo, emrat i njihja. Ishte një Kombëtare që e njihja, por një gjë është t’i njohësh lojtarët dhe një gjë tjetër është të punosh me ta për 3-4 muaj, për të pasur një vizion më të plotë. Tani, sigurisht, për mua është shumë më e thjeshtë dhe shumë stimuluese.
“Kam parë sa më shumë ndeshje të ishte e mundur”
Gazetari: Çfarë keni bërë gjatë këtyre muajve? Si ka qenë puna juaj? A keni shkuar të takoni apo të vizitoni lojtarët?
Maran: Meqenëse kampionatet përfunduan dhe shumë prej lojtarëve u ndalën, përfitova nga rasti për të parë sa më shumë ndeshje të ishte e mundur. Siç të thashë më parë, kisha pasur vetëm 10 ditë kohë dhe nuk ishin të mjaftueshme për të formuar një Kombëtare dhe për të njohur plotësisht karakteristikat e lojtarëve. Kështu që, gjatë periudhës kur ishin pushim, arrita të shoh shumë ndeshje, t’i shoh lojtarët tanë në më shumë versione dhe në më shumë role. U përpoqa të kuptoj sa më shumë gjëra. Pastaj, që kur filluan grumbullimet për disa prej tyre, kam arritur të shkoj t’i shoh nga afër. I kemi ndjekur, i kemi dëgjuar dhe kemi parë të gjitha ndeshjet që kanë zhvilluar. Tani, nuk ta fsheh që nesër nisem dhe do të vizitoj rreth 7 vende të ndryshme në 14 ditë. Nga Turqia në Evropën e Veriut do të kem një tur mjaft intensiv, sepse tani kanë filluar ndeshjet që kanë vërtet rëndësi. Aty mendoj se janë testet më të besueshme për të vlerësuar formën e lojtarëve. Këta muaj kanë kaluar në këtë mënyrë dhe tani kam fatin që, meqë ndeshjet zyrtare po fillojnë në të gjithë Evropën, mund t’i shoh lojtarët në sfidat që vlejnë.
“Miqësoret më kanë shërbyer shumë”

Gazetari: Si i patë dy ndeshjet me Luksemburgun dhe Izraelin? Çfarë nuk funksionoi, përveç kohës së shkurtër për t’i përgatitur? A pati diçka që ju shqetësoi?
Maran: Është e qartë që ishte një hap paksa në boshllëk, sepse vërtet kishim pak kohë. Por nuk më kanë shqetësuar. Përkundrazi, më kanë shërbyer shumë, sepse kam marrë disa të dhëna të vlefshme. Është e qartë që do të kisha preferuar t’i fitonim edhe miqësoret. Do të ishte më bukur për mua dhe për të gjithë ne. Por sot do të bëja sërish të njëjtën gjë, pavarësisht atij rreziku. Sepse tani ndiej që kam perceptuar disa gjëra që do të më shërbejnë kur të fillojnë ndeshjet zyrtare, aty ku do të jetë thelbësore të mos gabojmë. Veçanërisht në ndeshjen e parë, ku luajtëm padyshim më mirë se në të dytën, lojtarët, sipas mendimit tim, e kishin ulur pak ritmin. Jo për mungesë angazhimi, por sepse pas një viti erdhën me energji psiko-fizike të shteruara. Ishte pak e komplikuar për këtë arsye. Megjithatë pati një pjesëmarrje të mirë dhe disa sinjale pozitive, sidomos në ndeshjen e parë. Më pas, e përsëris, energjitë në futboll duhen dhe diçka mungoi. Por për mua ishte e një rëndësie thelbësore t’i bënim edhe ato ndeshje, me rrezikun që mund të shkonte kështu. Sot vij më i fortë në këto ndeshje.
“Shpresoj që lojtarët pa ekip të sistemohen sa më shpejt”
Gazetari: Gjatë verës pati shumë ndryshime skuadrash për disa lojtarë. Si i keni parë gjithë këto transferime, sidomos duke pasur parasysh se kanë ndryshuar edhe nivelet e skuadrave?
Maran: Ka një ndryshim në merkato. Për shembull, po marr rastin e Italisë, që ndoshta është kampionati që më është më i afërt. Janë larguar shumë lojtarë, sepse kanë ndryshuar tregjet e futbollit. Kështu që duhen vlerësuar kampionatet dhe ritmet që kanë këto kampionate, për të kuptuar më pas se si mund t’i ndihmoj lojtarët kur të vijnë në grumbullime. Ajo që më intereson më shumë është që ata të mund të luajnë. Tani shpresoj që ata që nuk kanë ende ekip të arrijnë të gjejnë një të tillë shumë shpejt, sepse është e rëndësishme. Jemi shumë afër tani me ndeshjet e para dhe uroj që së shpejti të mund të kenë ekip dhe të gjejnë vazhdimësi në paraqitje.
“Disa kampionate i janë afruar shumë Serisë A”
Gazetari: Kemi lojtarë si kapiteni Gjimshiti apo Ramadani që kalojnë nga Serie A në Turqi ose në Arabi. A gjeni diferencë mes këtyre kampionateve?
Maran: Besoj se kampionatet tani në të gjithë botën janë niveluar disi. Ndërsa më parë kishte kampionate “top” dhe janë ende, sepse Premier League dhe La Liga janë kampionate “top”, tani kampionatet e tjera e kanë rritur nivelin e tyre. Nëse shkojnë dhe marrin lojtarë të këtij kalibri, do të thotë që janë kampionate që e kanë rritur nivelin. Kështu që, po, nuk janë më në kampionatet më të famshme, por shkojnë në kampionate që nuk janë më ato të dikurshmet dhe që kishin pak peshë.
Gazetari: Por jo sa Serie A…
Maran: Jo sa Serie A, por i janë afruar shumë. Jo të gjitha, por disa kampionate tani e kanë rritur nivelin. Dhe këtë e percepton duke parë kupat apo të gjitha ato ndeshje ku më parë “nuk kishte histori”, ndërsa tani sheh skuadra të caktuara që fitojnë kundër skuadrave të kampionateve “top” të dikurshme.
“Për Kombëtaren është thelbësore që një lojtar të luajë”
Gazetari: Nëse do t’ju kishin pyetur, a do të kishit ndonjë këshillë për disa nga këta lojtarë? Kemi edhe lojtarë si Broja që qëndron atje, por nuk luan ose luan pak minuta. Ka lojtarë të tjerë që janë në skuadra të nivelit të lartë, por nuk kanë hapësirë.
Maran: Është e qartë që, sidomos për Kombëtaren, është thelbësore që një lojtar të luajë. Mesazhi që kam përcjellë është që shpresa ime mbetet që ata të mund të luajnë dhe të kenë vazhdimësi. Unë nuk kam mundësi të bëj një fazë përgatitore për t’i sjellë në formë. Unë vetëm mund të vlerësoj gjendjen e tyre dhe të zgjedh më pas lojtarët. Prandaj, ftesa ime ka qenë gjithmonë që të gjejnë sisteme ku ata të mund të luajnë më shumë.
“Këtë do ta tregojë fusha”
Gazetari: Ekziston ndjesia që Shqipëria sot nuk është në top-formë për ndeshjet e para zyrtare të Nations League. Për shkak të këtyre problemeve që folëm, ndonjë lojtar nuk luan, dikush është transferuar, duket se nuk jemi në formën më të mirë të mundshme. Si ka ndryshuar situata nga qershori deri tani?
Maran: Këtë do ta tregojë fusha. Është e qartë që, nëse të gjitha këto problematika nuk do të kishin ekzistuar, me shumë mundësi do të gjenim një skuadër që ka më shumë siguri dhe më shumë bindje. Por unë nuk jam i shqetësuar për këtë. Jam i bindur që Kombëtarja është një skuadër që mund të bëjë gjëra të rëndësishme. I ka të gjitha letrat për t’i luajtur këto ndeshje në mënyrën më të mirë. Për këtë jam i bindur, përtej vështirësive të merkatos që kanë pasur shumë lojtarë.
“Shpresoj të sjell emra të rinj”
Gazetari: Keni parë ndonjë lojtar të ri, ndoshta që ishte në listën e pritjes ose priste ftesën? Si e shikoni përzgjedhjen e lojtarëve? Nga minutat që luajnë, niveli i klubit ku luajnë apo çfarë kanë bërë në të kaluarën?
Maran: Janë pak nga të gjitha këto gjëra. Të them të vërtetën, sidomos tani në këto dy javë, do të jem shumë i përqendruar edhe te lojtarët që nuk i kam parë personalisht në grumbullimet e fundit. Po përpiqem të kuptoj, përtej atyre të zakonshmëve, futbollistëve që keni parë dhe që kanë veshur fanellën e Kombëtares, të shoh emra të tjerë që mund të jenë të dobishëm. Në këtë periudhë po përqendrohem shumë tek kjo.
Gazetari: Domethënë do të kemi lojtarë të tjerë? Emra të rinj?
Maran: Unë po përqendrohem dhe pastaj do të shohim. Shpresoj të sjell emra të rinj. Dhe kjo nuk do të jetë merita ime, por do të jetë merita e lojtarëve.
“Agresiviteti duhet të jetë kostumi ynë”
Gazetari: Keni folur që në prezantimin tuaj të parë se doni agresivitetin e skuadrës. A e shikoni që Shqipëria e ka këtë agresivitet, këtë lloj loje dhe këtë personalitet që ju kërkoni?
Maran: Për mentalitet, sipas meje, Kombëtarja shqiptare duhet të jetë e animuar nga lufta, nga një diçka që është më e fortë edhe se taktika dhe cilësitë. Dhe kjo, për mua, duhet të jetë e qartë. Për sa i përket interpretimit të agresivitetit, duhet të jemi të zotë ta bëjmë. Duke parë dy ndeshjet e fundit, edhe pse me Izraelin e bëmë mirë, ndërsa në tjetrën pak më pak, duhet të arrijmë ta bëjmë në ato zona të fushës ku mund të jemi më të fortë. Këto dy ndeshje pikërisht për këtë më kanë shërbyer, për të kuptuar gjëra të caktuara. Por ky agresivitet, ky kërkim për të rifituar topin, do të duhet të jetë kostumi ynë për ndeshjen.
“Nuk kam frikë nga vështirësitë”
Gazetari: A e shikoni të vështirë përgatitjen e ndeshjes së parë në Nations League në të gjitha këto kushte? A keni pak frikë?
Maran: Jo, frikë jo. Është e qartë që ka vështirësi, por vështirësitë të stimulojnë. Unë nuk jam i mësuar të qaj për vështirësitë. Ato duhet të jenë një stimul për të bërë akoma më shumë. Ne duhet të dimë që do të ketë vështirësi dhe duhet të jemi të gatshëm për to. Por nëse vështirësitë i përdorim si alibi, jo. Vështirësitë duhet të japin stimul, forcë, akoma më shumë dëshirë për të bërë mirë dhe për t’i kaluar. Kur kalon vështirësitë, ndihesh më i fortë. Dhe ky është objektivi ynë.
“Dua që shqiptarët të jenë krenarë për Kombëtaren”

Gazetari: Çfarë do të dëshironit të shihnit nga ndeshja e parë në Nations League, ajo në Bjellorusi? Çfarë doni të shihni për të thënë: “Kjo është Shqipëria që unë dua”?
Maran: Domethënë, përveç rezultatit?
Gazetari: Përveç rezultatit.
Maran: Le ta nisim nga rezultati kësaj radhe. Qesh. E thashë edhe në prezantimin tim të parë. Është të shohësh që t’i bësh shqiptarët krenarë për Kombëtaren, të shohësh që ata identifikohen dhe e gjejnë veten te këta djem që veshin fanellën. Te këta futbollistë që veshin fanellën dhe sjellin në fushë gjithçka që përfaqëson një komb. Dhe kjo do të më bënte të ndihesha krenar që kam sjellë një skuadër me këto karakteristika.
“Po e bëj Shqipërinë shtëpinë time”
Gazetari: Miqtë tuaj të futbollit çfarë ju thanë pasi panë lajmin se ishit trajneri i ri i Shqipërisë? Për herë të parë drejtoni një Kombëtare. Ndonjë kuriozitet?
Maran: Përtej lumturisë së të gjithëve, edhe të shqiptarëve që njihja, sepse pak a shumë njihemi aq mirë saqë ishin shumë të lumtur për mua, gjëja e bukur, jo për mua, por për Shqipërinë, është që të gjithë e kanë njohur vlerën e kësaj Kombëtareje. Kur u thirra, e panë si një gjë shumë të bukur pikërisht për vlerën dhe për atë që përfaqëson Kombëtarja shqiptare.
Gazetari: Po Shqipërinë si e shikoni në këto ditë të para që keni qenë këtu? Keni pasur mundësi ta njihni pak edhe jashtë futbollit?
Maran: Po, po. Kam pasur rast, po e jetoj çdo ditë dhe ndihem shumë mirë. Ka një mikpritje të jashtëzakonshme. Tashmë më duket sikur kam më shumë kohë këtu. Unë gjithmonë kështu kam bërë, edhe në qytetet ku kam jetuar, gjithmonë kam kërkuar ta jetoj qytetin, të jetoj atë që ai përfaqësonte. Këtu më duhet të jetoj në një hapësirë më të madhe, një komb, por po e jetoj sikur të ishte shtëpia ime. Po e bëj të bëhet shtëpia ime dhe ju më bëni të ndihem sikur të isha në shtëpinë time. Pra, është edhe merita juaj.
“Pritshmëritë duhet të jenë stimul”
Gazetari: Për t’u rikthyer sërish te futbolli, a është e vështirë të marrësh një skuadër që të gjithë e kanë parë në finalet e Europianit, në play-off të Botërorit etj.? Ka pritshmëri shumë të larta, edhe pse ndoshta situata aktuale nuk është shumë e mirë.
Maran: Duhet të kemi gjithmonë të qartë se kush jemi, nga vijmë dhe se si do të arrijmë atje. Unë besoj se kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë gabim. Por të kesh pritshmëri dhe të kesh ëndrra është bukur. Besoj se nëse ne këto objektiva dhe këto pritshmëri i përjetojmë si një stimul, atëherë është shumë mirë. Unë duhet të kem gjithçka të qartë. Nuk duhet të humbas asnjëherë nga sytë linjën udhëzuese dhe ekuilibrin. Por nëse rreth nesh diçka na shtyn të bëjmë më mirë, kjo është një erë e mirë në favorin tonë.
Gazetari: Shumë faleminderit, fat të mbarë!
Maran: Faleminderit!

