ELBASAN ,30 gusht 2026/Albania Express News/- Ka përfunduar rikonstruksioni i fushës me bar natyral në Kompleksin Sportiv “Shefqet Lamçja”, duke i shtuar një tjetër terren modern dhe cilësor infrastrukturës sportive të qytetit të Elbasanit.
Ndërhyrja synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe stërvitore, ndërsa fusha do të jetë në dispozicion edhe për organizimin e Kampionatit Europian U-21, Shqipëri 2027.
Përveç rikonstruksionit të fushës, janë përmirësuar edhe ambientet përreth kompleksit, duke ofruar kushte më moderne, funksionale dhe të përshtatshme për sportistët dhe ekipet që do ta përdorin këtë infrastrukturë.
Investimi vjen në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës sportive në vend dhe përgatitjeve për EURO U-21 2027, një aktivitet madhor që do të zhvillohet në Shqipëri.
Për Elbasanin, rikonstruksioni i “Shefqet Lamçjes” përfaqëson një tjetër hap në drejtim të krijimit të terreneve sportive bashkëkohore dhe rritjes së kapaciteteve për zhvillimin e futbollit në qytet.


