Librazhd/ Katër vatra zjarri në Dardhë, Polis, Kostenjë dhe Xhyrë, zjarrfikësit në terren përballë flakëve, në ndihmë edhe zjarrfikësit e Cërrikut

LIBRAZHD , 28 gusht 2026/Albania Express News/-Katër vatra zjarri janë evidentuar sot në territorin e Bashkisë Librazhd, në zonat e Dardhës, Polis, Kostenjës dhe Xhyrës, duke angazhuar në terren strukturat e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Sipas të dhënave zyrtare të këtij shërbimi, efektivët zjarrfikës po punojnë në terrene të vështira, kryesisht në zona malore dhe pyjore, me qëllim vënien nën kontroll të vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.

Situata kërkon angazhim të vazhdueshëm, pasi terreni i thyer dhe kushtet e nxehta mund të favorizojnë përhapjen e zjarrit, duke e bërë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse veçanërisht të vështirë.

Shërbimi Zjarrfikës i Librazhdit ka vlerësuar punën e efektivëve që ndodhen në terren me të cilët janë bashkuar edhe kolegët e bashkisë së Cërrikut , të cilët po përballen me vapën, tymin, lodhjen dhe orët e gjata të punës, ndërsa vijojnë ndërhyrjet për mbrojtjen e pyjeve, pronës dhe jetës së banorëve.

Përmes një mesazhi publik, shërbimi ka shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë zjarrfikësit që po përballen me flakët, duke theksuar se ata ndodhen në terren pikërisht në momentet kur komuniteti ka më shumë nevojë për ndihmë.

Apeli për qytetarët: Mos ndizni zjarre!

Në të njëjtën kohë, autoritetet zjarrfikëse kanë përcjellë një apel të fortë për qytetarët, veçanërisht për personat që mund të shkaktojnë zjarre përmes pakujdesisë apo veprimeve të qëllimshme.

“Mos e ndizni zjarrin!”, është thirrja e përsëritur nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Librazhdit.

Sipas autoriteteve, edhe një shkëndijë e vogël mund të shndërrohet në një zjarr të përmasave të mëdha, duke rrezikuar pyje, banesa dhe pasurinë e familjeve, por mbi të gjitha edhe jetën e njerëzve.

Në kushtet e temperaturave të larta dhe thatësirës, çdo pakujdesi mund të ketë pasoja serioze. Një zjarr i nisur në një zonë pyjore mund të përhapet me shpejtësi dhe të bëhet shumë i vështirë për t’u kontrolluar.

Shërbimi zjarrfikës u bën thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjshmëri maksimale, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast konstatimi të një vatre.

“Zjarri nuk është lojë. Një dorë e papërgjegjshme mund të shkatërrojë atë që natyra ka ndërtuar për qindra vite”, theksohet në mesazhin e zjarrfikësve.

Ndërsa katër vatra vijojnë të mbajnë në gatishmëri strukturat në Dardhë, Polis, Kostenjë dhe Xhyrë, efektivët e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Librazhdit vazhdojnë punën në terren për përballimin e situatës.

Apeli i autoriteteve është i qartë: asnjë zjarr nuk duhet ndezur në mënyrë të pakontrolluar, pasi pasojat mund të jenë të pallogaritshme për njerëzit, pyjet dhe pronën.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Aksident i rëndë në aksin Peqin-Elbasan, përplasen automjetet në Lazarej

PEQIN , 28 gusht 2026/Albania Express News/-Një aksident i...

Peqin/ Panairi Agroturistik 2026, promovohen produktet lokale dhe potenciali i agroturizmit

PEQIN, 28 gusht 2026/Albania Express News/- Tradita, produktet bujqësore,...