“Mos e shkëmbeni uniformën me një përfitim të momentit!” – Skënder Hita mesazh 389 policëve të rinj: Ligji, qytetari dhe amaneti i Dëshmorëve janë busulla juaj

TIRANË, 26 gusht 2026/Albania Express News/ – 389 kursantë që përfunduan me sukses Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë janë certifikuar, duke iu bashkuar zyrtarisht radhëve të Policisë së Shtetit.

Në ceremoninë e certifikimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, u drejtoi policëve të rinj një mesazh të fortë mbi përgjegjësinë që mbart uniforma, respektimin e ligjit, marrëdhënien me qytetarët dhe rrezikun e çdo tentative për t’u afruar me krimin.

Në fjalën e tij, Hita theksoi se certifikimi i 389 të rinjve është një ditë e rëndësishme jo vetëm për Policinë e Shtetit, por edhe për qytetarët, pasi brezi i ri do të jetë në terren për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve.

“Shqipëria, qytetarët dhe Policia kanë nevojë për ju, për energjitë dhe mentalitetin e ri evropian”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm, duke i cilësuar të sapocertifikuarit si një burim të rëndësishëm për të ardhmen e institucionit.

“Busulla juaj duhet të ketë vetëm tri drejtime”

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Hitës iu kushtua parimeve që, sipas tij, duhet të udhëheqin çdo punonjës policie gjatë karrierës.

“Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime: në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëherazi Dëshmorë të Atdheut”, tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm paralajmëroi policët e rinj se këto parime nuk duhet të ndryshojnë përballë asnjë sfide apo tundimi.

“Po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin dhe rruga më pas është plot dritëhije, ndoshta edhe në errësirë”, deklaroi Hita.

“Shërbejuni qytetarëve me përulësi, atyre që shkelin ligjin me forcën e ligjit”

Duke folur për marrëdhënien e policisë me qytetarët, Hita kërkoi korrektësi, guxim dhe paanshmëri në çdo situatë.

“Shërbejuni qytetarëve me përulësi, ndërsa atyre që shkelin ligjin, me forcën e ligjit. Reagoni me guxim, korrektësi e paanshmëri dhe brenda kornizës ligjore përballë çdo padrejtësie e paligjshmërie”, u shpreh ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu ndaj arrogancës në raport me qytetarët, duke e cilësuar atë si një nga rreziqet më të mëdha për karrierën e një punonjësi policie.

“Mos harroni se arroganca është fundi i rrugëtimit tuaj”, tha Hita, duke kërkuar që qytetarët që respektojnë ligjin të dëgjohen dhe të trajtohen me dinjitet.

Sipas tij, Policia e Shtetit nuk mund ta përmbushë misionin e saj pa besimin dhe mbështetjen e qytetarëve.

Paralajmërimi i fortë: “Mos u tundoni nga ofertat e krimit”

Një tjetër mesazh i drejtpërdrejtë iu drejtua policëve të rinj për përballjen me tentativat për korruptim apo bashkëpunim me grupet kriminale.

“Mos u tundoni nga ofertat e propozimet për të bashkëpunuar me krimin, sepse kjo rrugë mund t’ju duket e shkurtër, por pasojat e saj janë të rënda dhe pa kthim”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm.

Ai u kërkoi të rinjve të mos e shkëmbejnë uniformën, imazhin e Policisë, dinjitetin dhe të ardhmen e tyre me përfitime të çastit.

“Asnjë përfitim nuk vlen më shumë se uniforma që mbani veshur dhe besimi që qytetarët kanë te ju”, theksoi Hita.

“Puna bëhet në grup dhe karriera ndërtohet me ndershmëri”

Në përfundim të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i inkurajoi 389 policët e rinj që ta shohin këtë moment si fillimin e një misioni të gjatë dhe të përgjegjshëm.

Ai kërkoi respekt të ndërsjellë mes kolegëve, punë në grup dhe përkushtim, duke theksuar se karriera duhet të ndërtohet mbi punën e ndershme.

Hita u tha gjithashtu se dera e tij do të jetë e hapur për shqetësimet dhe problematikat e tyre që lidhen me përmirësimin e punës.

“Për mua pasuria më e madhe e Policisë së Shtetit jeni ju, janë burimet njerëzore”, tha ai.

Në fund, Drejtori i Përgjithshëm i uroi 389 policët e rinj për detyrën e tyre, duke u kërkuar të mbajnë me dinjitet uniformën dhe të shërbejnë në bazë të ligjit e në krah të qytetarëve.

“Mbajeni me dinjitet këtë uniformë të shenjtë të sigurisë dhe shërbimit ndaj Republikës dhe qytetarëve. Shërbeni me përkushtim, veproni në bazë të ligjit dhe qëndroni pranë qytetarëve”, përfundoi Hita.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

SEZONI I RI POLITIK DHE QYTETARËT

NGA NERTIL JOLE TIRANË , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Në...

Pse kaq shumë neveri për njëri-tjetrin, o shqiptarë?!

Nga Vladimir Selamaj FIER , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Ekziston...

Zjarr i madh në Sarandë, flakët përfshijnë kodrën dhe krijojnë re të mëdha tymi

SARANDË , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Një zjarr ka...

Vizita e drejtorit të CIA-s në Moskë, Trump lë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje: Diçka mund të dalë nga kjo

SHBA , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Presidenti amerikan Donald...