Dajti, Dibra e Librazhdi “nën flakë”, Ministria e Mbrojtjes del me BILANC: Ja si paraqitet situata aktuale me zjarret në vend

TIRANË , 25 gusht 2026/Albania Express News/-Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se deri në orën 20:00, në rang vendi janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat gjashtë vijojnë të jenë aktive, ndërsa pesë të tjera janë nën mbikëqyrje.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë operacioneve të zhvilluara sot janë angazhuar 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse.

Në mbështetje të operacioneve kanë qenë edhe Forcat e Armatosura, me 20 efektivë, një helikopter dhe dy avionë “Air Tractor”.

Mali i Dajtit vijon të jetë në fokusin kryesor të operacioneve, ku vatrat në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës mbeten aktive. Në terren janë angazhuar 40 forca zjarrfikëse, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 7 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura (ADZM), ndërsa ndërhyrja nga ajri po realizohet me një helikopter dhe dy avionë “Air Tractor”.

Ministria bën me dije se aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun e Dibrës, aktive mbeten vatrat në Ballenjë, ku operojnë 5 forca të ADZM-së, si dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, ku situata po monitorohet nga 4 efektivë të MZSH-së. Edhe në këto zona nuk raportohen rreziqe për banesat.

Ndërkohë, në Malin e Dardhës (Librazhd) një vatër është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7-8 hektarësh. Në terren vijojnë të operojnë efektivët e MZSH Librazhd, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Gjegjan-Gojan-Prozhëm-Tërbun (Pukë) vatrat e zjarrit janë izoluar dhe nuk ka më vatra aktive. Në këtë zonë vijon vetëm monitorimi i situatës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale vijojnë të jenë të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.

 

 

 

 

 

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME