SHKODËR – Zbardhen detaje të reja nga vrasja e dyfishtë që tronditi zonën e Dukagjinit, ku mbetën të vrarë babë e bir, ndërsa një person tjetër që ndodhej rastësisht në automjet mbeti i plagosur.
Viktimat janë identifikuar si Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç. Ata po udhëtonin me një fuoristradë nga banesa e vjetër e familjes në Dukagjin në drejtim të Shkodrës, kur u sulmuan me armë zjarri në rrugën e fshatit Xhan.
Sipas të dhënave paraprake, dy persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të automjetit. Plumbat kanë përshkuar fuoristradën, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të babait dhe djalit. Në automjet ndodhej edhe Lazër Bashi, i cili u plagos gjatë atentatit.
Bashi u transportua fillimisht në Spitalin e Shkodrës dhe më pas drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Fakti që ndodhej në pjesën e pasme të automjetit dyshohet se i ka shpëtuar jetën.
Në vendngjarje policia ka sekuestruar më shumë se 50 gëzhoja, ndërsa dyshohet se autorët kanë përdorur dy armë zjarri, një automatik tip kallashnikov dhe një armë MP5. Sasia e madhe e gëzhojave tregon se ndaj automjetit është qëlluar me breshëri të shumta.
Menjëherë pas ngjarjes, në zonë u angazhuan forca të shumta të Policisë së Shkodrës, ndërsa kontrollet u shtrinë edhe me efektivë të RENEA-s, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Familjarët e viktimave kanë deklaruar para hetuesve se nuk kanë dijeni për konflikte që Prelë dhe Lekë Gjoni mund të kenë pasur me persona të tjerë. Sipas tyre, babë e bir kishin shkuar një ditë më parë në banesën e vjetër në Dukagjin, ku familja mbante edhe disa koshere bletësh, dhe po ktheheshin normalisht drejt Grudës, ku banonin.
Një nga pistat ku po përqendrohen hetuesit lidhet me jetën personale të 57-vjeçarit. Lekë Gjoni ishte divorcuar rreth tre muaj më parë nga bashkëshortja, me të cilën kishte katër fëmijë. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka prova konkrete që e lidhin vrasjen me divorcin, ndaj kjo mbetet vetëm një pistë hetimore.
Një tjetër element që po verifikohet nga grupi hetimor lidhet me aktivitetin e tij të punës. Gjoni punonte me një kamion dhe, ditët e fundit, kishte transportuar materiale ndërtimi për një banesë në fshatin Gjuraj të Dukagjinit. Ai kishte gjithashtu një eskavator dhe punonte së bashku me një tjetër banor të zonës. Sipas të dhënave paraprake, ai nuk njihej si person problematik dhe nuk rezultojnë konflikte të dokumentuara me persona të tjerë.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, ndërsa policia është njoftuar rreth orës 17:20, pas telefonatës së banorëve të zonës. Për shkak të terrenit të vështirë malor dhe distancës, efektivët kanë mbërritur në vendngjarje rreth orës 19:00.
Terreni i thyer, mungesa e sinjalit telefonik dhe mungesa e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati e vështirësojnë ndjeshëm punën e hetuesve. Këto rrethana dyshohet se u kanë dhënë autorëve mundësinë të largohen nga zona përpara mbërritjes së forcave të policisë.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të identifikuar autorët, zbardhur motivin e vrasjes së dyfishtë dhe përcaktuar nëse pas atentatit qëndron një konflikt personal apo një tjetër motiv ende i panjohur.

