Plagoset efektivi i FA në Mirditë gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve, jashtë rrezikut për jetën

TIRANË , 22 gusht 2026/Albania Express News/-

Një efektiv i Forcave të Armatosura është dëmtuar gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në Mirditë, ku trupat e FA janë angazhuar prej ditësh në përballimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të rrezikuara.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, efektivi me inicialet A. K. është dëmtuar gjatë procesit të furnizimit me ujë të një mjeti zjarrfikës. Pas incidentit, ai ka marrë ndihmën e parë dhe është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve dhe trajtimit të specializuar mjekësor.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se efektivi po ndiqet nga mjeku neurokirurg dhe, pavarësisht dëmtimit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga afër nga stafi mjekësor, ndërsa autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes kanë vijuar të jenë pranë efektivit dhe familjarëve të tij gjatë kësaj situate.

Gjatë qëndrimit në Spitalin e Traumës, efektivi është vizituar edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji. Ata janë interesuar nga afër për gjendjen e tij dhe ecurinë e trajtimit mjekësor.

Ngjarja ka ndodhur në një moment kur Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për përballimin e situatës së zjarreve në Mirditë. Efektivët e FA janë pjesë e operacioneve të emergjencës, duke punuar në kushte të vështira dhe në terrene të rrezikuara për të ndihmuar në izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.

Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se do të vijojë ta ndjekë nga afër gjendjen shëndetësore të efektivit dhe t’i qëndrojë pranë gjatë periudhës së trajtimit dhe rikuperimit.

Pavarësisht incidentit, operacioni në Mirditë vijon me angazhimin e strukturave të emergjencave dhe Forcave të Armatosura në përballimin e situatës së krijuar nga zjarret.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME