BERAT ,18 gusht 2026/Albania Express News/-Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Qafën e Kalasë në Berat, ku një autobus i mbushur me turistë të huaj ka marrë flakë në lëvizje, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve dhe banorëve të zonës.
Autobusi, me targa AB 917 UE, po udhëtonte në drejtim të Kalasë së Beratit kur në pjesën e përparme të tij janë konstatuar shkëndijat e para. Dyshohet paraprakisht se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në motor.
Në momentin që drejtuesi ka konstatuar problemin, ka ndaluar menjëherë autobusin, duke bërë të mundur që 52 pasagjerët, mes tyre edhe fëmijë, të zbrisnin në kohë dhe të largoheshin nga mjeti.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Pasagjerët kanë mundur të dalin nga autobusi përpara se flakët të përfshinin në mënyrë të plotë mjetin.
Autobusi përfshihet i gjithi nga flakët
Pas shkëndijave të para të konstatuara në pjesën e motorit, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke përfshirë të gjithë autobusin.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta zjarrfikëse dhe shërbime të Policisë së Shtetit, të cilat kanë ndërhyrë për neutralizimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në objektet dhe automjetet pranë.
Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, autobusi është shkrumbuar plotësisht nga flakët.
Digjet edhe një automjet “Benz”
Zjarri nuk është kufizuar vetëm te autobusi. Flakët kanë përfshirë edhe një automjet tip “Benz” fuoristradë, i cili ishte i parkuar pranë një banese.
Sipas informacioneve paraprake, pronari i automjetit nuk ka mundur ta largojë atë në kohë, duke bërë që edhe mjeti të përfshihet nga zjarri dhe të dëmtohet rëndë.
Ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse ka bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe vënien nën kontroll të situatës.
Shoqërohet drejtuesi i autobusit
Në kuadër të veprimeve hetimore, është shoqëruar në polici drejtuesi i autobusit, Ervis Dyrmani, nga Durrësi.
Policia dhe shërbimet zjarrfikëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të ketë ardhur si pasojë e një defekti apo shkëndije elektrike në pjesën e motorit, por shkaku përfundimtar do të përcaktohet pas ekspertizës.
Ndërkohë, nga ana e autoriteteve nuk është bërë ende e ditur kombësia e turistëve që ndodheshin në autobus.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në zonën e Qafës së Kalasë, një prej akseve të frekuentuara nga turistët që vizitojnë Beratin, ndërsa fatmirësisht situata nuk ka përfunduar me pasoja në njerëz.

