Operacioni ndërkombëtar “The Wanted”/ Tre persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar bien në prangat e autoriteteve

TIRANË ,16 gusht 2026/Albania Express News/-Policia e Shtetit vijon operacionin policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet homologe të vendeve të ndryshme për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të këtij operacioni janë finalizuar tre faza të tjera, që kanë çuar në arrestimin e dy personave me qëllim ekstradimi, si dhe në ekstradimin drejt Shqipërisë të një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Arrestohet në Rinas një 43-vjeçar i kërkuar nga Spanja

Në Rinas, si rezultat i koordinimit të veprimeve mes Policisë Kufitare dhe Interpol Tiranës, u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi, i shtetasit B. B., 43 vjeç, lindur në Gjakovë, Kosovë dhe banues në Amsterdam, Holandë.

Ndaj tij, Gjykata Qendrore e Instruksionit nr. 1, pranë Audiencës Nacionale të Madridit, në Spanjë, ka caktuar në korrik 2026 masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale, me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike.

Sipas hetimeve të zhvilluara nga Policia Gjyqësore Spanjolle, është identifikuar një organizatë kriminale e qëndrueshme, e cila dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës. Organizata kishte bazën kryesisht në zonën e Costa del Sol dhe shtrinte aktivitetin në zona të ndryshme të territorit spanjoll.

B. B. dyshohet se ka qenë i përfshirë në transportin e lëndës narkotike.

Arrestohet në Rumani një shqiptar i kërkuar për vrasje dhe krime të rënda

Ndërkohë, autoritetet rumune kanë bërë të mundur arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, të shtetasit A. H., 49 vjeç, lindur në Tiranë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill 2018, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”.

A. H. akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas të dhënave të hetimit, më 29 janar 2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë, A. H., në bashkëpunim me një shtetas grek dhe persona të tjerë, të organizuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri shtetasin shqiptar D. K.

Gjatë kontrolleve në banesat e personave të dyshuar, Policia kishte sekuestruar 9 armë zjarri, rreth 130 kilogramë lëndë narkotike kanabis, si dhe një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe rumune, vijon procedurat ligjore për ekstradimin e dy shtetasve drejt vendeve përkatëse.

Nga Londra në Shqipëri ekstradohet një 31-vjeçar

Në kuadër të të njëjtit operacion, Interpol Tirana ka realizuar edhe ekstradimin nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, drejt Shqipërisë të shtetasit Xh. H., 31 vjeç, lindur në Berat.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill 2024, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Çështja lidhet me një operacion të zhvilluar më 10 nëntor 2022, në fshatin Drenovicë të qarkut Berat.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme rezulton se Xh. H., në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.

Pas bashkëpunimit mes Interpol Mançester dhe Interpol Tiranës, autoritetet britanike mundësuan arrestimin e tij, ndërsa tashmë ai është ekstraduar në Shqipëri dhe i është dorëzuar autoriteteve shqiptare.

Operacioni “The Wanted” vijon në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim identifikimin, lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME