GJIROKASTËR –TIRANË ,15 gusht 2026/Albania Express News/- Fluksi i lartë i automjeteve dhe udhëtarëve në pikat e kalimit kufitar me Greqinë ka sjellë forcimin e masave dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe greke.
Në këtë kuadër, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtues i Parë Saimir Muçaj, zhvilloi një takim me homologët e Policisë greke në ambientet e Qendrës së Përbashkët të Kontaktit për Bashkëpunimin Policor dhe Doganor në Kakavijë.
Në takim morën pjesë Drejtori Vendor për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë, drejtues të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë dhe përfaqësues të Drejtorisë së Kufirit Janinë.
Për shkak të një angazhimi emergjent në një zonë kufitare të Greqisë, në takim mori pjesë online edhe Kolonel Andreas Karageorgos, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Kufirit në Policinë greke.
Fokus te menaxhimi i fluksit
Në qendër të diskutimeve ishte menaxhimi i fluksit të lartë të udhëtarëve në pikat e kalimit kufitar, veçanërisht gjatë kësaj periudhe me lëvizje të shtuar.
Autoritetet shqiptare dhe greke diskutuan për koordinimin e masave dhe për përshpejtimin e procedurave, me synim shmangien e radhëve të gjata dhe krijimin e lehtësirave për qytetarët që udhëtojnë në të dyja drejtimet.
Të dyja palët u angazhuan për intensifikimin e masave të përbashkëta në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe për një komunikim më të drejtpërdrejtë mes strukturave përgjegjëse.
Forcohet bashkëpunimi kundër krimeve kufitare
Përveç menaxhimit të fluksit, një tjetër çështje e rëndësishme e takimit ishte forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimeve kufitare.
Strukturat shqiptare dhe greke synojnë të koordinojnë më mirë veprimet, duke garantuar njëkohësisht kontrollin kufitar dhe respektimin e procedurave ligjore, pa krijuar vonesa të panevojshme për udhëtarët.
Në përfundim të takimit, Saimir Muçaj siguroi qytetarët se shërbimet e Policisë Kufitare do të vijojnë angazhimin maksimal për përballimin e fluksit të shtuar.
Muçaj theksoi rëndësinë e koordinimit me homologët grekë për krijimin e lehtësirave ligjore, përshpejtimin e lëvizjes dhe eliminimin e radhëve të gjata në hyrje-dalje në pikat e kalimit kufitar me Greqinë.
Masat e përbashkëta synojnë që fluksi i lartë i lëvizjeve të përballohet në mënyrë sa më të organizuar, duke garantuar sigurinë kufitare dhe njëkohësisht lehtësimin e udhëtimit për qytetarët.



