ELBASAN ,14 gusht 2026/Albania Express News/-Një tjetër investim i rëndësishëm po merr jetë në territorin e Bashkisë Elbasan. Në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, po ndërtohet ura e re që do t’u shërbejë rreth 30 familjeve të lagjes Çepallinj, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjen e tyre me qendrën e fshatit dhe rrugën kryesore.
Ky investim është një kërkesë e drejtpërdrejtë e banorëve, e evidentuar gjatë procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje, dhe tashmë po shndërrohet në një vepër konkrete në terren.
Për banorët e zonës, ura ka një rëndësi të veçantë, pasi përmirëson aksesin dhe sigurinë e lëvizjes së përditshme. Ajo do të lehtësojë qarkullimin e familjeve, fëmijëve dhe mjeteve, duke shkurtuar kohën e udhëtimit drejt qendrës së fshatit dhe akseve kryesore.
Një përfitim i rëndësishëm pritet edhe për fermerët. Në një zonë ku bujqësia përbën një nga burimet kryesore të të ardhurave, lidhja e re do të mundësojë transport më të shpejtë dhe më të lehtë të produkteve bujqësore drejt tregut, duke ndihmuar në uljen e kostove dhe kohës së transportit.
Punimet janë tashmë drejt përfundimit dhe shumë shpejt ura e re pritet të vihet në funksion të plotë të komunitetit.
Investimi në Muriqan është një tjetër shembull i projekteve që burojnë nga nevojat konkrete të komunitetit dhe synojnë të përmirësojnë infrastrukturën dhe cilësinë e jetës në zonat rurale.
Bashkia Elbasan vijon të kthejë në investime konkrete prioritetet e përcaktuara nga vetë komunitetet, me fokus te infrastruktura, aksesueshmëria dhe mbështetja e zhvillimit ekonomik lokal.


