TIRANË ,13 gusht 2026 /Albania Express News/-KF Egnatia dhe Dinamo City zbresin këtë të mërkurë, më 13 gusht, në fushë për ndeshjet e kthimit të turit të tretë të kompeticioneve europiane, me objektivin jo vetëm për të vijuar aventurën ndërkombëtare, por edhe për të siguruar të ardhura të konsiderueshme nga UEFA.
Të dyja skuadrat shqiptare luajnë prej orës 21:00, me KF Egnatian që përballet me Shamrock Rovers në “Arena Egnatia”, ndërsa Dinamo City pret Audën në “Elbasan Arena”.
KF Egnatia, një përmbysje që mund t’i çojë të ardhurat në mbi 3 milionë euro
Kampionët e Shqipërisë, të drejtuar nga Nevil Dede, kanë përpara një sfidë të vështirë, pasi në ndeshjen e parë ndaj Shamrock Rovers u mposhtën me rezultatin 3-1.
Megjithatë, një përmbysje në Rrogozhinë do t’i jepte KF Egnatias jo vetëm kualifikimin, por edhe një rritje të ndjeshme të arkëtimeve nga UEFA.
Sipas shifrave të bëra publike, KF Egnatia ka siguruar deri tani 1.71 milionë euro nga UEFA. Kjo shumë përfaqëson minimumin e të ardhurave të garantuara, edhe në rast se aventura europiane do të mbyllej në fazën pasardhëse.
Fitorja dhe kualifikimi në turin e tretë të Ligës së Europës kanë një vlerë prej 1.46 milionë eurosh. Nëse KF Egnatia arrin të eliminojë Shamrock Rovers, por më pas nuk ia del në “play-off”-in e Ligës së Europës, shuma totale e përfituar nga UEFA do të shkonte në rreth 3.17 milionë euro.
Një kualifikim i mëtejshëm do të sillte natyrisht edhe përfitime të tjera financiare, ndërsa pjesëmarrja në fazën e ligës së Ligës së Konferencës garanton vazhdimin e aventurës europiane dhe të ardhura shtesë.
Dinamo City , në kërkim të përmbysjes ndaj Audës
Edhe Dinamo City e Ilir Dajës luan një ndeshje me rëndësi të madhe sportive dhe financiare.
“Blutë” u mposhtën 1-0 në transfertë ndaj Audës në Letoni dhe duhet të përmbysin rezultatin në “Elbasan Arena” për të siguruar kualifikimin në turin tjetër të Ligës së Konferencës.
Deri tani, Dinamo City ka siguruar 1.075 milionë euro nga UEFA. Kualifikimi në turin e tretë vlen edhe 375 mijë euro të tjera.
Nëse Dinamo City arrin të përmbysë humbjen e ndeshjes së parë dhe të kalojë më tej, të ardhurat minimale të saj do të shkonin në rreth 1.45 milionë euro.
Dy ndeshje, miliona euro në lojë
Përtej objektivit sportiv, për KF Egnatian dhe Dinamon këto sfida përfaqësojnë edhe një mundësi të rëndësishme për të forcuar financat e klubeve.
KF Egnatia kërkon përmbysjen ndaj Shamrockut për të vijuar rrugëtimin në Ligën e Europës, ndërsa Dinamo City synon të rikthejë rezultatin ndaj Audës dhe të sigurojë një tjetër hap në Europë.
Shifrat e mësipërme përfaqësojnë minimumin e të ardhurave nga UEFA dhe nuk përfshijnë të ardhura të tjera që klubet mund të sigurojnë gjatë rrugëtimit europian.
Kështu, mbrëmja e 13 gushtit nuk do të jetë vetëm një betejë për kualifikimin, por edhe një përballje me vlerë të konsiderueshme financiare për dy klubet shqiptare.

