TIRANË ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka rikujtuar fermerët e kualifikuar në kuadër të Skemës Kombëtare 2026 për respektimin e afateve të dorëzimit të dokumentacionit shtesë dhe përmbushjen e kushteve të përfitueshmërisë.
Sipas njoftimit të AZHBR-së, listat e përfituesve për masat mbështetëse 1 deri në 4 janë publikuar më datë 21 korrik 2026. Në bazë të procedurave të përcaktuara, fermerët përfitues kanë në dispozicion 20 ditë kalendarike për të plotësuar kushtet e përfitueshmërisë, afat i cili ka nisur të llogaritet nga dita pas shpalljes së listave.
Për rrjedhojë, afati për fermerët përfitues të masave 1-4 përfundon më 10 gusht 2026.
Ndërkohë, listat e aplikimeve për masat 5 deri në 7, si dhe për masën 9, janë publikuar më 24 korrik 2026. Edhe për këto masa, afati 20-ditor për plotësimin e dokumentacionit dhe kushteve të kërkuara përfundon më 13 gusht 2026.
AZHBR thekson se, të gjithë aplikantët e shpallur fitues duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës dhe të përmbushin kriteret e përfitueshmërisë brenda afateve të përcaktuara.
AZHBR paralajmëron se dokumentacioni i dorëzuar pas përfundimit të afatit nuk do të merret në shqyrtim. Po ashtu, aplikantët që nuk do të përmbushin kushtet e përfitueshmërisë brenda afatit të parashikuar do të skualifikohen nga Skema Kombëtare 2026, në përputhje me rregullat e përcaktuara.
Gjithashtu AZHBR ka ndarë edhe linkun për të konsultuar listën e të kualifikuarve dhe dokumentacionin shtesë që duhet të dorëzohet.

