Banorët e Mirakës paralajmërojnë protestë masive të hënën për Koridorin VIII: “Rruga e re po na izolon, kërkojmë hyrje-dalje dhe zgjidhje”

LIBRAZHD ,07 gudht 2026 / Albania Express News/-Banorët e fshatit Mirakë dhe të disa fshatrave të tjerë të Njësisë Administrative Polis dhe Valë në bashkinë e Librazhdit kanë paralajmëruar zhvillimin e një proteste masive paraditen e së hënës, duke kundërshtuar projektin e zgjerimit të segmentit Elbasan–Qafë Thanë, Faza II, pjesë e Koridorit VIII.

Protesta është njoftuar të nisë rreth orës 09:00, ndërsa banorët shprehen se nuk janë kundër investimit dhe ndërtimit të rrugës së re, por kundërshtojnë faktin që projekti nuk parashikon një hyrje-dalje në karrexhatën e majtë për t’u shërbyer fshatrave Mirakë, Gostimë, Qendër, Gurshpatë, Vilan, Sheh dhe Valë.

Sipas tyre, mungesa e një daljeje të drejtpërdrejtë drejt aksit kryesor do të krijojë izolim për mijëra banorë, duke vështirësuar lëvizjen e përditshme, transportin e produkteve bujqësore, qarkullimin e mjeteve të transportit publik, si dhe ndërhyrjet në raste urgjencash shëndetësore.

Në kërkesën zyrtare që banorët i kanë drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar më 9 korrik 2026, ata kanë propozuar realizimin e një hyrje-daljeje në kilometrat 5+400 dhe 5+800, duke shfrytëzuar edhe infrastrukturën ekzistuese pranë urës së Mirakës dhe një shesh pushimi të ndërtuar përgjatë aksit.

Në shkresë argumentohet se kthimi aktual përmes Nyjës së Xibrakës zgjat itinerarin me rreth 6 kilometra, ndërsa në raste emergjencash ambulancat humbasin 15 deri në 20 minuta, kohë që sipas banorëve mund të jetë vendimtare për shpëtimin e jetëve.

Ata theksojnë gjithashtu se hyrja-dalja e kërkuar do t’u shërbente rreth 6 mijë banorëve të zonës, duke përmirësuar ndjeshëm aksesin në rrugën kombëtare dhe duke shmangur vështirësitë që hasin çdo ditë qytetarët, veçanërisht pasagjerët e transportit publik, të cilët shpesh detyrohen të ecin në këmbë distanca të gjata.

Screenshot

Ndërkohë, në përgjigjen zyrtare të datës 22 korrik 2026, Autoriteti Rrugor Shqiptar, me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm Ami Kozeli, bën me dije se projekti po zbatohet sipas variantit të miratuar dhe standardeve të sigurisë rrugore.

Sipas ARRSH-së, në projektin aktual banorët mund të aksesojnë aksin kryesor përmes rrugëve lidhëse ekzistuese dhe Nyjës së Xibrakës, ndërsa kërkesa për një hyrje-dalje të re në karrexhatën e majtë nuk është pjesë e zgjidhjes teknike të miratuar. Për këtë arsye, institucioni njofton se punimet do të vijojnë sipas projektit ekzistues, pa ndryshuar parametrat e tij.

Megjithatë, në të njëjtën përgjigje, ARRSH thekson se, duke vlerësuar shqetësimet e komunitetit, në vijim do të shqyrtohet mundësia e një zgjidhjeje tjetër teknike. Çdo alternativë e mundshme, sipas institucionit, do t’i nënshtrohet vlerësimit të strukturave teknike, kushteve të terrenit, funksionimit të aksit dhe standardeve të sigurisë rrugore.

Pavarësisht kësaj përgjigjeje, banorët shprehen se deri tani nuk është ofruar një zgjidhje konkrete dhe se shqetësimin e tyre ua kanë përcjellë të gjitha institucioneve përgjegjëse. Ata paralajmërojnë se protesta e së hënës do të jetë vetëm hapi i parë i një serie reagimesh qytetare dhe se do të vijojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje që garanton akses të sigurt dhe funksional për komunitetin.

Banorët kërkojnë hapjen e një dialogu me Autoritetin Rrugor Shqiptar, Ministrinë e Infrastrukturës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, me synimin që projekti të rishikohet përpara përfundimit të punimeve në këtë segment të rëndësishëm të Koridorit VIII, duke mundësuar një hyrje-dalje që, sipas tyre, është jetike për zhvillimin dhe sigurinë e zonës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME