TIRANË ,05 gusht 2026/Albania Express News/-
Gjatë 10 orëve të fundit, në të gjithë territorin e Shqipërisë janë raportuar 14 vatra zjarri, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive, duke mbajtur në gatishmëri strukturat e mbrojtjes civile dhe Forcat e Armatosura.
Sipas informimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve po koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe Forcat e Armatosura. Në terren janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Situata më problematike vijon të jetë në fshatrat Riban dhe Ngraçan të bashkisë Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa dhe ekipet po punojnë intensivisht për të mos lejuar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. Në këtë operacion janë përfshirë forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe avioni “Air Tractor”.
Një tjetër vatër aktive mbetet ajo në zonën e Dajtit, ku po operojnë forcat zjarrfikëse, Administrata e Zonave të Mbrojtura, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata në qarkun e Elbasanit
Në qarkun e Elbasanit vijon puna për neutralizimin e tre vatrave të zjarrit, konkretisht në:
- Shqiponjë;
- Malin e Dardhës;
- Fshatin Mjekës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarret në Shqiponjë dhe Mjekës janë vënë nën kontroll, ndërsa për asnjërën prej vatrave nuk raportohet rrezik për banesat apo zonat e banuara. Forcat në terren vijojnë monitorimin për të shmangur riaktivizimin e flakëve.
Ndërkohë, në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, zjarri është përhapur në majën e malit, duke rritur intensitetin brenda një zone të mbrojtur, por pa paraqitur rrezik për banorët.
Nga ana tjetër, në Penkovë të bashkisë Selenicë, zjarri është shuar plotësisht pasi dogji rreth 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Në Gumenicë vijon puna për shuarjen e një vatre me shkurre, ndërsa në Vërzhezhë të bashkisë Skrapar situata është vendosur nën kontroll.
Autoritetet theksojnë se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë vendin, ndërsa u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente për çdo vatër zjarri të konstatuar.

