LETONI ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Dinamo City e ka mbyllur me rezultatin 0-0 pjesën e parë të përballjes ndaj Audës së Letonisë, e vlefshme për ndeshjen e parë të turit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Takimi po zhvillohet në stadiumin “Skonto Stadions” në Riga, ku skuadra e drejtuar nga Ilir Daja po synon një rezultat pozitiv për të hedhur një hap drejt fazës “play-off”.
Në minutat e para të sfidës u zhvillua një lojë e luftuar, me shumë ndërhyrje dhe faulle që fragmentuan ritmin e takimit. Vendasit u shfaqën të parët në sulm, por portieri Simon Teqja reagoi me siguri pas një krosimi të rrezikshëm në minutën e dytë.
Dinamo iu afrua golit në minutën e 10-të, kur Qardaku provoi me një goditje të fortë, por portieri i Audës bëri një pritje vendimtare. Pak çaste më vonë, një aksion i ndërtuar mirë nga Ismaili nuk u konkretizua nga sulmuesit blu.
Në minutën e 13-të, Kraglis i Audës u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa më pas Qardaku provoi sërish nga distanca, por pa gjetur kuadratin.
Në minutën e 17-të pati pretendime nga vendasit për një penallti pas një rrëzimi në zonën e Dinamos, por arbitri lejoi vazhdimin e lojës, duke e konsideruar gjithçka të rregullt.
Me kalimin e minutave, Auda mori më shumë iniciativën dhe krijoi disa raste të rrezikshme. Në minutën e 27-të ishte sërish portieri Teqja që shpëtoi Dinamon me një ndërhyrje vendimtare brenda zonës, ndërsa në minutën e 34-t Diedu provoi me kokë, por topi përfundoi jashtë portës.
Në minutën e 28-të pati shqetësim për Qefalijan, i cili mori ndihmën e stafit mjekësor, por loja vijoi normalisht. Në fund të pjesës së parë Dinamo fitoi këndoren e parë të takimit, por nuk arriti të rrezikojë seriozisht portën kundërshtare.
Pas tre minutave shtesë, arbitri sinjalizoi fundin e pjesës së parë, me rezultatin e bardhë 0-0.
Kujtojmë se trajneri Ilir Daja zgjodhi të aktivizojë të njëjtin formacion që siguroi kualifikimin ndaj Aluminij në “Elbasan Arena”, ndërsa Adamu Alhasan mungon në këtë transfertë për shkak të problemeve me dokumentacionin e udhëtimit. Dinamo do të kërkojë në pjesën e dytë një rezultat pozitiv për ta sjellë kualifikimin të hapur në ndeshjen e kthimit.


