Kreu i Zjarrfikësve të Elbasanit , Emirjon Sota ,apel qytetarëve: “Mos ndizni zjarre, një pakujdesi e vogël mund të kthehet në një katastrofë”

ELBASAN ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Në një kohë kur temperaturat e larta dhe thatësira kanë rritur ndjeshëm rrezikun e përhapjes së zjarreve, kreu i Shërbimit Zjarrfikës në Bashkinë Elbasan, Emirjon Sota, ka bërë një apel të fortë për ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Sota u ka kërkuar banorëve të tregojnë maksimalisht kujdes dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë vatra zjarri, duke theksuar se në kushtet aktuale klimatike edhe një pakujdesi e vogël mund të shndërrohet brenda pak minutash në një zjarr të përmasave të mëdha.

“Ju bëjmë thirrje të mos ndizni asnjë vatër zjarri. Në kushtet e temperaturave të larta dhe thatësirës, një pakujdesi e vogël mund të kthehet brenda pak minutash në një zjarr të përmasave të mëdha”, shprehet kreu i Zjarrfikësve të Elbasanit.

Sipas tij, zjarret sjellin pasoja të rënda për mjedisin dhe komunitetin, duke shkaktuar dëme në pyje, kullota, ullishte, pemëtari dhe toka bujqësore, ndërsa në shumë raste vënë në rrezik edhe banesat, pronën dhe jetën e qytetarëve.

Sota ka vënë në dukje edhe angazhimin e madh të strukturave zjarrfikëse në përballimin e situatave emergjente, ku për shuarjen e vatrave të zjarrit angazhohen dhjetëra efektivë dhe mjete të specializuara.

“Përveç dëmeve në natyrë dhe pasuri, zjarret kërkojnë angazhimin e forcave të shumta operacionale dhe lënë pasoja afatgjata në mjedis”, thekson ai.

Kreu i Shërbimit Zjarrfikës ka rikujtuar se çdo rast zjarri verifikohet nga strukturat përgjegjëse dhe, nëse konstatohen shkelje të ligjit, autorët përballen me masat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.

Në fund të mesazhit të tij, Emirjon Sota ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe njoftimet e shpejta, të cilat kanë ndihmuar në parandalimin dhe izolimin e shumë rasteve.

“Bashkëpunimi juaj mbetet vendimtar për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit. Mos ndizni zjarr. Mbroni natyrën, pronën dhe jetën!”, apelon kreu i Zjarrfikësve të Elbasanit.

Apeli vjen në një periudhë kur vendi po përballet me një situatë të shtuar të zjarreve, ku temperaturat ekstreme dhe mungesa e reshjeve krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e shpejtë të flakëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME