TIRANË ,04 gusht 2026/Albania Express News/-“Shqipëria nuk ka mungesë uji, por ka mungesë vizioni dhe menaxhimi të qëndrueshëm të tij”. Ky është mesazhi që përcjell inxhinieri Fatmir Brazhda përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ngre shqetësimin për mënyrën se si po administrohen burimet ujore në vend.
Sipas Brazhdës, Shqipëria renditet ndër vendet më të pasura me burime ujore në Evropë, por paradoksi është se qytetarët, fermerët dhe ekonomia përballen gjithnjë e më shpesh me mungesë uji.
“Ujë ka, por ujë s’kemi”, shkruan ai, duke theksuar se shkaku kryesor lidhet me keqmenaxhimin e burimeve natyrore, mungesën e investimeve në infrastrukturën ujore, ndërtimin e pakontrolluar të hidrocentraleve, dëmtimin e kanaleve vaditëse, rezervuarëve dhe rrjeteve të ujit të pijshëm.
Në analizën e tij, Brazhda përmend edhe faktorët mjedisorë që po ndikojnë në këtë situatë, si shpyllëzimet, zjarret masive, ndotja e lumenjve dhe ndryshimet klimatike, të cilat po e shtyjnë vendin drejt një krize ujore që deri pak vite më parë dukej e largët.
Duke iu referuar të dhënave ndërkombëtare, ai sjell në vëmendje paralajmërimet e organizatave si OKB dhe Instituti Botëror i Burimeve (WRI), sipas të cilave kërkesa globale për ujë të ëmbël pritet të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme, duke shtuar presionin mbi burimet ujore.
“Edhe Evropa nuk është e përjashtuar nga kjo situatë. Thatësirat po bëhen më të shpeshta dhe më intensive. Shembujt e fundit me nivelet e ulëta të lumenjve të mëdhenj tregojnë se kriza e ujit nuk është më një problem i së ardhmes”, thekson Brazhda.
Sipas tij, në Shqipëri sfida kryesore nuk është mungesa e ujit, por mënyra se si ai ruhet dhe shpërndahet.
Ai argumenton se për më shumë se tre dekada investimet në veprat ujore kanë qenë të pamjaftueshme, ndërsa shumë kanale vaditëse, rezervuarë dhe sisteme pompimi janë lënë jashtë funksionit ose janë dëmtuar rëndë.
Pasojat, sipas tij, ndihen më shumë në bujqësi, ku mijëra hektarë tokë mbeten pa ujë dhe shumë fermerë detyrohen të braktisin prodhimin.
“Banka Botërore ka raportuar se vetëm një pjesë e vogël e sipërfaqeve të pajisura për ujitje janë realisht funksionale, për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe menaxhimit të dobët”, shkruan Brazhda.
Ai sjell gjithashtu në vëmendje rekomandimet e FAO-s, e cila e konsideron rehabilitimin e sistemeve të ujitjes një prioritet për Shqipërinë, me synimin e rikthimit në funksion të një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore potencialisht të ujitshme.
Sipas inxhinierit, mosveprimi në kohë do të sjellë pasoja jo vetëm në furnizimin me ujë, por edhe në ekonominë e vendit, prodhimin bujqësor, biodiversitetin dhe jetën sociale në zonat rurale.
“Shqipërisë nuk i mungon uji. Shqipërisë i mungon menaxhimi i qëndrueshëm i ujit. Nëse nuk marrim masa tani, edhe natyra jonë një ditë mund të ketë nevojë për ‘serum’ për të mbetur gjallë”, është mesazhi përmbyllës i Fatmir Brazhdës.
Një apel që rikthen në vëmendje një nga sfidat më të mëdha të së ardhmes: ruajtjen dhe menaxhimin me përgjegjësi të pasurisë më të çmuar natyrore ,ujit.

