Për të katërtën mbrëmje radhazi, Divjaka në protestë kundër reformës territoriale

Nga Sara Tarko

DIVJAKË ,04 gusht 2025/Albania Express News/-Banorët e Bashkisë Divjakë kanë protestuar për të katërtën mbrëmje radhazi në sheshin qendror të qytetit, duke kundërshtuar draft-projektin e reformës së re territoriale dhe administrative, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë Divjakë me Bashkinë Lushnjë.

Protestës i janë bashkuar qytetarë të shumtë, përfaqësues të forcave politike lokale, administrata e bashkisë, si dhe kryetari i Bashkisë Divjakë, të cilët e cilësojnë këtë projekt të papranueshëm dhe në dëm të interesave të komunitetit.

Qytetarët argumentojnë se Divjaka i plotëson të gjitha kushtet për të vijuar të funksionojë si bashki më vete. Sipas tyre, njësia vendore ka një potencial të konsiderueshëm ekonomik, administrativ dhe turistik, falë pasurive natyrore që zotëron, si Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, laguna, pyjet, plazhi dhe resurset e tjera, të cilat përbëjnë një bazë të fortë për zhvillimin e zonës.

Gjatë protestës, banorët marshuan në rrugët kryesore të qytetit, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen kundërshtimit të projektit dhe të mbrojnë statusin e Bashkisë Divjakë.

Në fjalimet  e tyre, qytetarët kundërshtuan me argumente draft-projektin e Partisë Socialiste për reformën territoriale administrative. Ata deklaruan se Divjaka ka identitet, histori, ekonomi dhe potencial zhvillimi që nuk duhet të zbehen përmes bashkimit me një bashki tjetër. Sipas tyre, shkrirja do të largonte vendimmarrjen nga komuniteti, do të ulte cilësinë e shërbimeve publike dhe do të pengonte zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e turistik të zonës. Protestuesit kërkuan që qeveria të tërhiqet nga ky projekt dhe të zhvillojë një konsultim të gjerë me banorët përpara se të merret çdo vendim.

Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vijojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për ruajtjen e Bashkisë Divjakë si njësi e pavarur e qeverisjes vendore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME