TIRANË ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se qeveria ka çuar drejt krizës industrinë fason, duke e cilësuar situatën si pasojë të politikave të gabuara ekonomike.
Tabaku shprehet se, pas 13 vitesh në pushtet, socialistët i kanë lënë mbi 175 mijë familje shqiptare përballë pasojave të zhbërjes së industrisë fason.
Sipas deputetes demokrate, industria fason po përballet me mungesë mbështetjeje nga qeveria, ndërsa është goditur edhe nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe niveli i taksave.
“Pas 13 vitesh në qeveri, socialistët, në kulmin e pushtetit të tyre, u kanë lënë mbi 175 mijë familjeve shqiptare një kartolinë të hidhur: zhbërjen e industrisë fason dhe çuarjen drejt falimentimit të një sektori që dikur punësonte mbi 175 mijë shqiptarë. Ky është rezultati i një sistemi ekonomik dhe politik që sakrifikon familjet shqiptare, bukën dhe të ardhurat e tyre, për të mbajtur në këmbë një pakicë që e ka ngritur këtë sistem dhe përfiton prej tij”, shkruan Tabaku.
Tabaku thekson më tej se paratë e pista dhe krimi i organizuar po helmojnë konkurrencën dhe ekonominë.
“Ndërkohë, qeveria as e mbështet dhe as e subvencionon industrinë fason, e goditur rëndë edhe nga zhvlerësimi i euros, kostot e larta dhe taksat”, shkruan ajo.
Tabaku thekson se mbyllja e bizneseve dhe largimi i sipërmarrësve për të investuar jashtë vendit janë tregues të një modeli ekonomik të dështuar, që sipas saj po rrezikon edhe markën “Made in Albania”.
“Në mes të kësaj tragjedie që po konsumon jetën e mijëra familjeve, Shqipëria po humbet markën “Made in Albania”. Pamjet e bizneseve që nxirren në shitje dhe të sipërmarrësve që paketojnë pajisjet për t’u larguar e për të hapur vende pune diku tjetër janë dëshmia e vizionit ekonomik të dështuar të kësaj qeverie”, u shpreh Tabaku.
Deputetja e PD-së deklaron se vendi ka nevojë për politika që mbështesin prodhimin, sipërmarrjen dhe punësimin, duke shtuar se “pa prodhim nuk ka vende pune, eksporte dhe ekonomi të qëndrueshme”.

