20 vatra zjarri në 24 orë, mbi 700 forca operacionale dhe helikopterë në terren për shuarjen e flakëve

TIRANË ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Shqipëria vijon të përballet me situatë të vështirë nga zjarret, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 20 vatra në zona të ndryshme të vendit. Për përballimin e tyre janë angazhuar 727 forca operacionale, të mbështetura edhe nga Forcat e Armatosura, me qëllim izolimin dhe shuarjen e flakëve, si dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe të pasurisë natyrore.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili theksoi se në mbështetje të strukturave vendore janë angazhuar 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë mjekësore dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët kanë operuar në zonat më problematike.

Ministri vlerësoi punën e forcave operacionale dhe të efektivëve të FA-së, duke nënvizuar se ata po përballen çdo ditë me situata të rrezikshme për të mbrojtur qytetarët dhe territorin nga përhapja e zjarreve.

“Përcjell respektin e pakufishëm për secilin prej tyre, si dhe ndaj të gjithë efektivëve të angazhuar që në fillim të verës në menaxhimin e zjarreve”, u shpreh Nufi.

Ai theksoi se janë pikërisht këta burra dhe gra me uniformë që zgjedhin të ecin drejt rrezikut për ta eliminuar atë, në vend që t’i shmangen.

Në mesazhin e tij, ministri shprehu mirënjohje të veçantë për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.

“Mirënjohje të thellë për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e pashoq që po tregoni duke mbrojtur jetën, komunitetet dhe pasurinë tonë natyrore. Shqipëria krenohet me ju! Sakrifica, vendosmëria dhe shërbimi juaj janë shembulli më i mirë i detyrës ndaj Republikës”, deklaroi ai.

Autoritetet vijojnë të mbajnë nën monitorim situatën në të gjithë vendin, ndërsa ekipet operacionale mbeten në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo vatër aktive, në një periudhë kur temperaturat e larta dhe kushtet atmosferike rrisin rrezikun e përhapjes së zjarreve. Njëkohësisht, qytetarëve u bëhet apel të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës për çdo rast të konstatuar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Dy vatra zjarri mbeten aktive në Qarkun e Elbasanit, vijojnë ndërhyrjet në Prrenjas dhe Librazhd

ELBASAN ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Dy vatra zjarri vijojnë...

Një reformë pa vetëqeverisje

Nga Thoma Gëllçi TIRANË ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Në territorin...

Jorida Tabaku: Shqipëria po humbet markën “Made in Albania”, industria fason drejt falimentimit

TIRANË ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Deputetja e Partisë Demokratike,...