TIRANË, 04 gusht 2026/Parku i vetëm kombëtar detar Sazan-Karaburun vijon të konfirmohet si një nga destinacionet më të preferuara të sezonit turistik veror.
Falë bukurive natyrore, biodiversitetit të pasur dhe ujërave të kristalta, parku tërheq çdo ditë qindra vizitorë vendas e të huaj, të cilët zgjedhin ta eksplorojnë përmes shëtitjeve turistike me anije dhe mjete të tjera lundruese që nisen nga porti i Vlorës.
Anijet e certifikuara mbi 12 pasagjerë ofrojnë tashmë standarde të larta sigurie të monitoruara nga Kapiteneria e Portit, duke garantuar udhëtime të qeta edhe për grupe të mëdha apo familje.

Lorenc Rexhepaj, kapiteni i portit të Vlorës bën të ditur se “gjatë muajve qershor-korrik ky park u vizitua nga 16 466 turistë vendas e të huaj, ndërsa u kryen 270 udhëtime me anijet turistike”.
“Vetëm gjatë muajit qershor parku u vizitua nga 7801 turistë dhe u zhvilluan 148 udhëtime me anije turistike”, u shpreh Rexhepaj.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur këto destinacione vizitoheshin kryesisht përmes anijeve turistike me itinerare të përcaktuara, këtë sezon operatorët e mjeteve të vogla kanë ndryshuar mënyrën e organizimit të ekskursioneve, duke ofruar ture të personalizuara dhe orare më fleksibël, në përputhje me kërkesat e turistëve.

“Shtimi i gomoneve dhe mjeteve të shpejta ka zgjeruar ndjeshëm ofertën turistike, duke u dhënë mundësi vizitorëve vendas dhe të huaj të eksplorojnë në mënyrë më të shpejtë dhe fleksibël zona me vlera të veçanta natyrore e historike, si Gadishulli i Karaburunit, Ishulli i Sazanit, Gjiri i Gramës, Gjiri i Dafinës, Shpella e Haxhi Alisë dhe Shpella e Dafinës”, tha Rexhepi.
“Kapiteneria e Portit të Vlorës po vijon gjithashtu monitorimin e mjeteve lundruese dhe zbatimin e rregullave të sigurisë duke u bërë thirrje operatorëve dhe turistëve të respektojnë normat e lundrimit dhe mbrojtjes së mjedisit, me qëllim ruajtjen e ekosistemit unik të Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan”, tha Rexhepi.

Bukuritë natyrore, historia dhe biodiversiteti i pasur e bëjnë Sazan-Karaburunin një destinacion unik, që po tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj.
Me një shtrirje detare rreth 1,9 km në këtë park detar ndodhen disa monumente natyre si, Shpella e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike. Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve të tilla si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, por edhe peshkaqenë.
I shpallur në vitin 2010 park kombëtar detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë.

