CËRRIK ,03 gusht 2026/Albania Express News/-Qytetarët e Cërrikut kanë dalë këtë të hënë në protestë kundër riorganizimit të mundshëm territorial, duke kundërshtuar bashkimin e bashkisë së tyre me atë të Elbasanit. Protestuesit kërkuan që Cërriku të vijojë të jetë njësi më vete administrative dhe ngritën shqetësimin për arsyet dhe përfitimet që do të sillte një shkrirje e tillë.
Cërriku, bashkia e dytë më e madhe për nga numri i banorëve në Qarkun e Elbasanit, sipas protestuesve ka historinë, identitetin dhe kapacitetet e veta për të vijuar funksionimin si bashki më vete. Ata kërkuan shpjegime konkrete se përse kjo bashki duhet të shkrihet dhe cilat do të jenë pasojat për qytetarët në ofrimin e shërbimeve publike.
Gjatë protestës, qytetarët rikujtuan edhe deklaratat e Kryeministrit, i cili në të kaluarën e ka përmendur Cërrikun si një shembull të mirë të qeverisjes vendore. Sipas protestuesve, këto vlerësime bien ndesh me një vendim të mundshëm për bashkimin e saj me një tjetër bashki.
“Një bashki që është vlerësuar për mënyrën e administrimit dhe funksionimit të saj nuk mund të zhduket pa një argument të fortë”, u shprehën protestuesit, duke kërkuar që zëri i komunitetit të merret në konsideratë.
Ata deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, deri sa kërkesat e tyre të dëgjohen nga institucionet qendrore. Një tjetër apel i tyre ishte drejtuar administratës lokale, punonjësve të institucioneve dhe të gjithë komunitetit që të bashkohen në mbrojtje të statusit të Bashkisë Cërrik.
Në protestë ishin të pranishëm edhe deputetë të Partisë Demokratike, të cilët mbështetën kërkesat e qytetarëve. Nga ana tjetër, protestuesit kërkuan reagim edhe nga deputetët e Partisë Socialiste, duke i bërë thirrje përfaqësuesve politikë të Qarkut Elbasan që të mbajnë qëndrim për këtë çështje.
Banorët paralajmëruan se do të vijojnë aksionet e tyre qytetare, duke kërkuar që vendimmarrja për të ardhmen administrative të Cërrikut të mos merret pa konsultimin dhe miratimin e komunitetit.

