“Shtëpitë u blenë me paratë e drogës”, familja Çela nga Elbasani denoncon në Itali për shpifje ish-kreun e SPAK, Altin Dumani

ITALI ,03 gusht 2026/Albania Express News/-Gjykata e Veronës kërkon hetime shtesë për dokumentacionin e dërguar nga autoritetet shqiptare pas sekuestrimit të pasurive me vlerë rreth 4 milionë euro

-Mediat italiane raportojnë se familja Çela nga Elbasani ka depozituar një kallëzim në Itali ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, pas sekuestrimit të disa pasurive me vlerë miliona euro në Verona, të cilat më pas iu kthyen pronarëve pasi gjykata italiane vendosi heqjen e masës së sekuestros.

Çështja lidhet me një operacion të zhvilluar në korrik të vitit 2025 nga autoritetet shqiptare dhe ato italiane, ku SPAK dhe Guardia di Finanza bashkëpunuan për sekuestrimin e pasurive që kapnin vlerën e rreth 4 milionë eurove.

Sipas dyshimeve të ngritura në atë kohë nga autoritetet shqiptare, disa pasuri të paluajtshme në zonën e Veronës, mes tyre një ndërtesë në rrugën “Murari Bra”, ku ndodheshin rreth 30 ambiente tregtare dhe zyra, si dhe një kompleks në zonën e Nogarole Rocca, dyshohej se ishin blerë nga kompania “Meral Srl”, në pronësi të familjes Çela, me të ardhura që mund të kishin burim aktivitete të paligjshme, veçanërisht trafikun e kokainës.

Megjithatë, më 4 gusht 2025, gjyqtarja e hetimeve paraprake në Itali, Paola Vacca, vendosi anulimin e masës së sekuestros dhe kthimin e pasurive tek pronarët. Sipas vendimit gjyqësor, dokumentacioni i paraqitur nga mbrojtja e familjes Çela provonte se investimet ishin kryer përmes burimeve të ligjshme financiare.

Po ashtu, sipas pretendimeve të mbrojtjes, anëtarët e familjes Çela nuk rezultonin të dënuar dhe as të përfshirë në procese penale që kishin përfunduar me vendime fajësie.

Pas këtij vendimi, përfaqësuesit ligjorë të kompanisë “Meral Srl” depozituan një kallëzim ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar për shpifje dhe kallëzim të rremë. Sipas tyre, informacioni i përcjellë nga autoritetet shqiptare tek pala italiane ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare dhe ka cenuar reputacionin e kompanisë dhe familjes.

Prokuroria e Veronës kishte kërkuar fillimisht arkivimin e çështjes, por gjyqtari Enrico Zuccon nuk e pranoi këtë kërkesë dhe urdhëroi kryerjen e hetimeve shtesë.

Sipas vendimit të gjykatës, prokuroria italiane duhet të verifikojë dokumentacionin e dërguar nga autoritetet shqiptare, si dhe të sqarojë nëse SPAK kishte dijeni për vendime apo procedime të mëparshme që lidhen me familjen Çela dhe nëse këto të dhëna ishin marrë në konsideratë gjatë kërkesës për sekuestrimin e pasurive.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Altin Dumanit ka kërkuar sërish pushimin e procedimit, duke argumentuar se kallëzimi ndaj tij synon të dëmtojë punën e tij si prokuror dhe të ndikojë në hetimet e zhvilluara ndaj grupeve të dyshuara për krim të organizuar.

Aktualisht, çështja nuk është mbyllur. Prokuroria e Veronës ka në dispozicion edhe dy muaj kohë për të kryer verifikimet e kërkuara nga gjykata. Pas përfundimit të tyre, palët do të paraqiten sërish para gjyqtarit, i cili do të vendosë nëse procedimi do të vijojë apo do të arkivohet.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME