TIRANË, 03 gusht 2026 /Albania Express News/ -Konfindustria i kërkon qeverisë të ndërhyjë me masa urgjente për frenimin e rritjes së çmimeve të karburanteve, duke propozuar uljen e barrës fiskale, rikthimin e Bordit të Transparencës, kontrolle të shtuara mbi cilësinë e karburanteve dhe forcimin e luftës kundër kontrabandës.
Në një deklaratë, Konfindustria argumenton se kërkesa vjen pas rritjes së fortë dhe, sipas saj, të pajustifikuar të çmimeve të karburanteve gjatë 10 ditëve të fundit të muajit korrik dhe në vazhdim.
Në deklaratë kërkohet një ulje me të paktën 15% të barrës së taksave mbi karburantet. “Italia dhe Gjermania kanë zbatuar menjëherë 15-20% të uljes së taksave të karburanteve me efekt të drejtpërdrejtë në treg”, thuhet në deklaratë.
Konfindustria po ashtu kërkon funksionalizimin e Bordit të Transparencës me qëllim që ulja e mundshme taksave të përcillet e plotë te qytetarët dhe bizneset dhe jo te operatorët e karburanteve.
Po ashtu, kërkohet nga institucionet kontroll i menjëhershëm i cilësisë së karburanteve, që qarkullojnë në treg. “Ka të dhëna që sasi të mëdha të karburantit jashtë standardit Euro 3 janë hedhur në treg me pasoja të rënda për shëndetin, mjedisin, makinat dhe buxhetin e shtetit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, kërkohet ndërhyrja e jashtëzakonshme e institucioneve shtetërore dhe SPAK për luftën kundër kontrabandës së karburanteve me pasoja qindra milionë euro dëm mbi buxhetin e shtetit.
“Goditja e autoriteteve të Kosovës ndaj linjave kontrabandë të tranzitit të karburanteve nga Shqipëria, që rezultuan të mbushura me ujë në doganën kosovare, është e dhënë e qartë”, thuhet në deklaratë.
“Çmimet me pakicë të naftës në tregun vendor ka kohë që janë në nivelet e 2,15-2,2 euro/litër, ndjeshëm më të larta se shtetet e rajonit dhe mjaft shtete të BE. Sa më sipër sjell goditje shtesë të fortë shkatërruese mbi industritë, prodhimin vendor dhe qytetarët”, thekson në deklaratën e saj Konfindustria.

