ELBASAN ,03 gusht 2026/Albania Express News/-Një delegacion i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Republikën e Kolumbisë, në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar dhe veprave penale me element ndërkombëtar.
Vizita synon forcimin e koordinimit mes institucioneve ligjzbatuese të dy vendeve, me fokus hetimet e përbashkëta, shkëmbimin e informacionit dhe goditjen e rrjeteve kriminale që veprojnë përtej kufijve kombëtarë.
Delegacioni shqiptar përbëhej nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, drejtuesit e seksioneve Gjergji Ceka dhe Glenda Zeneli, zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Andi Banushi, si dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Ernest Basha.

Gjatë qëndrimit në Bogota, përfaqësuesit shqiptarë zhvilluan takime pune me drejtues dhe ekspertë të Prokurorisë së Përgjithshme Kombëtare të Kolumbisë. Në qendër të bisedimeve ishte ecuria e hetimeve të përbashkëta, koordinimi i veprimeve procedurale, shkëmbimi i provave dhe informacionit operacional, si dhe planifikimi i hapave të mëtejshëm hetimorë për çështje që lidhen me grupet kriminale me aktivitet ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, takimet u karakterizuan nga një frymë besimi dhe bashkëpunimi reciprok, ku të dyja palët vlerësuan rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë ndërinstitucional për të rritur efektivitetin e hetimeve dhe ndjekjes penale ndaj organizatave kriminale.
Prokuroria e Elbasanit thekson se mbetet e përkushtuar për të zgjeruar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, duke zbatuar standardet më të mira profesionale në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut ndërkombëtar dhe kriminalitetit ndërkufitar.

Një kontribut të rëndësishëm në organizimin dhe realizimin e kësaj veprimtarie kanë dhënë Eurojust dhe projekti WBCrimJust, të cilët koordinuan bashkëpunimin mes institucioneve dhe mundësuan zhvillimin e hetimeve të përbashkëta, duke forcuar kështu mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë penale dhe luftës kundër krimit të organizuar.

