TIRANË ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Propozimi i ri për Reformën Administrativo-Territoriale, i depozituar pak ditë më parë në Kuvend nga deputetët e Partisë Socialiste, pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në organizimin vendor të vendit, por edhe pasoja të mundshme për sportin shqiptar, veçanërisht për klubet e futbollit që mbështeten financiarisht nga bashkitë.
Sipas projektligjit, Shqipëria do të organizohet në 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative, ndërsa numri i qarqeve do të mbetet 12. Aktualisht vendi ka 61 bashki, çka do të thotë se 15 prej tyre do të shkrihen dhe do të bashkohen me bashki të tjera.
Në listën e bashkive që parashikohet të shkrihen janë Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.
Ky riorganizim administrativ mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në futbollin shqiptar, pasi disa prej klubeve historike të vendit financohen kryesisht nga buxhetet e bashkive përkatëse. Në rast të ndryshimit të strukturës administrative dhe të politikave të financimit, këto ekipe mund të përballen me vështirësi serioze financiare, madje edhe me rrezikun e shkrirjes.
Sipas të dhënave, gjashtë skuadra konsiderohen më të rrezikuarat nga kjo reformë:
- Maliqi, që aktualisht garon në Kategorinë e Dytë;
- Albpetroli i Patosit, pjesë e Kategorisë së Dytë;
- Këlcyra, që militon në Kategorinë e Dytë;
- Memaliaj, gjithashtu në Kategorinë e Dytë;
- Turbina e Cërrikut, pjesë e Kategorisë së Tretë;
- Osumi i Dimalit, që garon në Kategorinë e Tretë.
Këto klube mbështeten në masë të madhe nga fondet e pushtetit vendor, ndaj çdo ndryshim në strukturën e bashkive mund të ndikojë drejtpërdrejt në vazhdimësinë e aktivitetit të tyre.
Ndërkohë, qytetet e tjera që preken nga reforma nuk kanë aktualisht ekipe futbolli aktive në kampionatet kombëtare, ndërsa rasti i Egnatias së Rrogozhinës paraqitet ndryshe, pasi klubi është në pronësi private të biznesmenit Agim Demrozi dhe nuk varet nga financimi i bashkisë.
Edhe pse projektligji është ende në fazën e shqyrtimit parlamentar dhe nuk është miratuar përfundimisht, komunitetet sportive dhe tifozët e këtyre skuadrave po e ndjekin me shqetësim zhvillimin e reformës, pasi çdo ndryshim në financimin vendor mund të ndikojë në ekzistencën e klubeve që prej dekadash përfaqësojnë qytetet e tyre në futbollin shqiptar.

