Zbulim i jashtëzakonshëm në një fshat të bashkisë së Librazhdit / Vendbanim prehistorik në Orenjë, historia e zonës shtyhet mijëra vite pas në kohë

NGA FATMIR POPJA

LIBRAZHD ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Një zbulim me rëndësi të veçantë për arkeologjinë shqiptare është bërë në fshatin Orenjë të Bashkisë Librazhd, ku kërkimet e viteve të fundit kanë nxjerrë në dritë një vendbanim prehistorik, i cili mendohet se ka qenë i banuar që në periudhën e bronzit të hershëm. Ky zbulim pritet të ndryshojë njohuritë mbi historinë e hershme të kësaj zone dhe të hedhë dritë mbi mënyrën e jetesës së komuniteteve që kanë banuar në lindje të Shqipërisë mijëra vite më parë.

Zona ku po zhvillohen gërmimet njihet prej kohësh nga banorët vendas me emrin “Qytezë”. Për breza me radhë, ky emërtim është përdorur si një toponim tradicional, pa qenë e ditur se ai lidhej realisht me ekzistencën e një qendre të fortifikuar dhe të banuar në lashtësi. Pikërisht gërmimet arkeologjike kanë konfirmuar se ky vend ka qenë një vendbanim i rëndësishëm, i cili ka vazhduar të jetë i banuar deri në periudhën e antikitetit të vonë.

Sipas të dhënave paraprake të arkeologëve, faza më e hershme e këtij vendbanimi daton në bronzin e hershëm, një periudhë që shtrihet disa mijëra vite para erës sonë. Ky fakt e shndërron sitin e Orenjës në një nga zbulimet më të rëndësishme të viteve të fundit në Shqipëri, pasi dëshmon për një vazhdimësi të gjatë të jetës njerëzore në këtë territor.

Gërmimet kanë evidentuar gjurmë strukturash banimi, fragmente qeramike dhe materiale të tjera arkeologjike, të cilat po studiohen nga specialistët për të përcaktuar me saktësi fazat e zhvillimit të vendbanimit dhe rëndësinë që ai ka pasur në rrjetin e qendrave të lashta të rajonit.

Pozicioni strategjik i Orenjës, pranë zonave malore dhe rrugëve natyrore që lidhnin luginat me pjesën lindore të Ballkanit, mendohet se ka favorizuar zhvillimin e këtij vendbanimi përgjatë shekujve. Arkeologët besojnë se zbulimet e mëtejshme mund të ofrojnë informacion të ri mbi organizimin shoqëror, aktivitetin ekonomik dhe lidhjet tregtare të banorëve të kësaj qendre.

Ekspertët vlerësojnë se potenciali i sitit është shumë i madh dhe se kërkimet do të vijojnë edhe në sezonet e ardhshme, me synimin për të dokumentuar plotësisht historinë e vendbanimit. Çdo objekt i gjetur do t’i nënshtrohet analizave laboratorike, të cilat do të ndihmojnë në përcaktimin më të saktë të kronologjisë dhe karakteristikave kulturore të komuniteteve që kanë jetuar aty.

Ky zbulim jo vetëm pasuron hartën arkeologjike të Shqipërisë, por rrit edhe vlerat historike e turistike të Bashkisë Librazhd. Nëse kërkimet vijojnë me rezultate të ngjashme, “Qyteza” e Orenjës mund të shndërrohet në një nga pikat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në rajon, duke tërhequr interesin e studiuesve, studentëve dhe vizitorëve të apasionuar pas historisë së lashtë.

Sipas Ervin Kujtilës, kërkues shkencor në fushën e Arkeologjisë pranë Institutit të Arkeologjisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kërkimet në qytezën e Orenjës po japin rezultate me rëndësi të veçantë për historinë e hershme të vendit. Ai në rrjetin social facebook shkruan  se zbulimet e deritanishme dëshmojnë se vendbanimi ka një shtrirje kronologjike të gjatë, duke nisur që nga periudha e bronzit të hershëm dhe duke vijuar deri në antikitetin e vonë, çka e bën sitin një nga zbulimet më premtuese arkeologjike të viteve të fundit në Shqipëri.

Gjatë këtij sezoni të gërmimeve, terrenin e kërkimeve e kanë vizituar edhe dy prej emrave më të njohur të arkeologjisë shqiptare, Neritan Ceka dhe Skënder Muçaj. Sipas Kujtilës, vizita e tyre përbën një mbështetje të rëndësishme për ekipin kërkimor, ndërsa vlerësimet, këshillat dhe sugjerimet profesionale të dhëna në terren kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë shkencore të gërmimeve dhe interpretimin e rezultateve. Ai u ka shprehur mirënjohjen profesorëve për interesimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke e cilësuar atë një nxitje të rëndësishme për vijimin e studimit dhe ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike të Orenjës dhe të gjithë rajonit të Librazhdit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME