Bishnica rikthehet në qendër të vëmendjes, festa “Një derë drejt pyllit” promovon perlën turistike të Mokrës së Pogradecit

NGA FATMIR POPJA

POGRADEC ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Bishnica, një prej fshatrave më piktoreskë të krahinës së Mokrës në Bashkinë e Pogradecit, u kthye këtë fundjavë në qendrën e festimeve, traditës dhe promovimit të turizmit malor, përmes aktivitetit “Një derë drejt pyllit”. Festa mblodhi qindra banorë, emigrantë të rikthyer për pushime, vizitorë dhe turistë, duke rikthyer gjallërinë në një zonë që po shihet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet më premtuese të turizmit natyror në Shqipëri.

Bashkia e Pogradecit e cilësoi aktivitetin si një ditë emocionesh të veçanta, ku u ndërthurën buzëqeshjet, përqafimet, lotët e gëzimit dhe argëtimi. Për shumë familje ishte një rast për t’u ritakuar pas vitesh emigracioni, ndërsa për të rinjtë dhe fëmijët një mundësi për të njohur më nga afër historinë, traditat dhe kulturën e vendlindjes së prindërve të tyre.

Atmosfera festive u pasurua nga performancat artistike të nxënësve të shkollave, trupës së Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, muzikantëve dhe artistëve lokalë, ndërsa vizitorët patën mundësinë të shijojnë gatimet tradicionale, mikpritjen karakteristike të banorëve dhe produktet autentike të zonës.

Bashkia e Pogradecit falënderoi Fondacionin Diakonia Albania, bashkëorganizatore të aktivitetit, si edhe të gjithë banorët dhe kontribuuesit që bënë të mundur organizimin e kësaj feste, e cila synon të kthehet në një traditë të përvitshme për promovimin e Mokrës.

Bishnica, porta drejt një prej perlave alpine të Shqipërisë

Përtej festës, Bishnica është edhe pika kryesore e nisjes drejt Liqeneve të Lukovës, një nga monumentet më të bukura natyrore të vendit, që çdo vit po tërheq një numër në rritje turistësh shqiptarë dhe të huaj.

Liqenet akullnajore ndodhen në shpatin lindor të Gurit të Topit, pranë kufirit me zonën e Gramshit dhe përbëhen nga dy liqene alpine. Liqeni i Madh, me sipërfaqe 6.3 hektarë, ndodhet në lartësinë 1,851 metra mbi nivelin e detit, ndërsa Liqeni i Vogël, me sipërfaqe 3.7 hektarë, në 1,706 metra lartësi. Të vendosura në një cirk të madh akullnajor, ato krijojnë një ekosistem unik me ujëra të kristalta e të ftohta, ndërsa gjatë dimrit mbulohen nga bora dhe ngrijnë për periudha të gjata.

Shtegu Bishnicë–Liqenet e Lukovës, me gjatësi rreth 7.3 kilometra, përshkohet për afro tre orë e gjysmë ecje dhe tashmë është i shënjuar sipas standardeve të Ministrisë së Turizmit, falë bashkëpunimit mes banorëve të zonës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kjo ka bërë që grupet turistike të mund ta ndjekin itinerarin edhe pa praninë e një guide lokale.

Turistët po shtohen nga viti në vit

Interesi për këtë zonë është rritur ndjeshëm. Gjatë sezonit veror, Liqenet e Lukovës vizitohen nga turistë vendas nga Tirana, Korça, Fieri dhe qytete të tjera, por edhe nga vizitorë të huaj, mes tyre amerikanë, francezë, gjermanë, çekë, polakë dhe holandezë.

Përveç ecjes në natyrë dhe alpinizmit, shumë vizitorë zgjedhin të kalojnë disa orë pranë liqeneve duke shijuar freskinë e ujit dhe peizazhin spektakolar që ofron kjo zonë alpine.

Bashkia e Pogradecit po vijon gjithashtu projektin për shënjimin e shtigjeve të tjera turistike në Mokër, të cilat lidhin monumente të trashëgimisë kulturore si Varret Monumentale të Selcës, Urën e Golikut dhe disa nga fshatrat më të njohur të zonës.

Potencial i madh, por ende peng i infrastrukturës

Megjithëse konsiderohet një nga zonat me potencialin më të madh për zhvillimin e turizmit malor dhe agroturizmit në juglindje të vendit, Bishnica vazhdon të përballet me mungesën e një infrastrukture rrugore cilësore.

Nga Proptishti deri në Bishnicë janë rreth 18 kilometra rrugë, segment që lidh disa fshatra të Mokrës, por që sipas banorëve mbetet pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.

Dikur Bishnica ishte një qendër e rëndësishme e sektorit pyjor, ku punonin qindra specialistë dhe inxhinierë nga e gjithë Shqipëria. Sot, pas emigrimit të madh të popullsisë, fshati numëron shumë më pak banorë, por vazhdon të ruajë natyrën e paprekur, pyjet me bredha e ah, liqenet akullnajore, Shpellën e Ariut, Liqenin e Frangovishtës, Gurin e Gjemthit dhe dhjetëra atraksione të tjera natyrore.

Në vitet e fundit kanë nisur të ngrihen edhe bujtina familjare, ndërsa banorët thonë se turistët nuk mungojnë, por kërkojnë investime më të mëdha në rrugë për ta bërë zonën më të aksesueshme.

Sipas Bashkisë së Pogradecit, projekti për rikonstruksionin e rrugës Proptisht–Bishnicë dhe lidhjen me Buzaishtën është hartuar dhe i është paraqitur qeverisë për financim. Autoritetet vendore shprehen optimiste se realizimi i këtij investimi do t’i japë një hov të ri zhvillimit të gjithë Mokrës, ashtu siç ndodhi vite më parë me destinacione të njohura turistike si Dardha dhe Voskopoja.

Festa “Një derë drejt pyllit” dëshmoi edhe një herë se Bishnica nuk është vetëm një fshat me histori dhe traditë, por një destinacion me potencial të jashtëzakonshëm turistik, që pret vetëm investimet e nevojshme për t’u kthyer në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit malor në Shqipëri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME