EKSKLUZIVE/ Nga Shkodra në elitën e evropiane, Diana Dashi, shkencëtarja shqiptare që udhëheq industrinë kozmetike në Itali

Në një kohë kur Shqipëria ka gjithnjë e më shumë nevojë për histori frymëzimi, emri i Diana Dashi-t, një vajzë nga Shkodra që sot drejton një nga laboratorët më prestigjiozë në industrinë kozmetike evropiane, është më shumë se një histori suksesi, është një dëshmi se talenti, përkushtimi, sakrificat dhe puna e saj mund të ndërtojnë një karrierë ndërkombëtare të jashtëzakonshme. Diana Dashi është diplomuar “Ekselente” në Farmaci dhe më pas në Doktoraturë për “Kimi të Aplikuar” në ngjyrosjen dhe zbardhjen e flokëve.

Dashi gjatë viteve të fundit ka udhëhequr mbi 100 projekte kërkimore në kompani prestigjioze në Itali dhe aktualisht drejton laboratorin me famë ndërkombëtare “Visionnaire Cosmetics Lab” në Milano. Përveçse shkencëtare, ajo është mentore, lektore dhe një zë i fuqishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar në industrinë e bukurisë së bazuar në shkencë. Në këtë intervistë ekskluzive për “Albania Ekspres News” , ajo rrëfen rrugëtimin e saj, sfidat e kërkimit shkencor dhe lidhjen e pazgjidhshme me vendlindjen dhe Shqipërinë.

Diana Dashi, faleminderit që pranuat këtë intervistë. Si nisi udhëtimi juaj nga Shkodra drejt laboratorëve të avancuar në Itali? Çfarë kujtoni nga fillimet?

Ju falenderoj shumë për ftesën për këtë intervistë. Është një kënaqësi ta pranoj atë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, fitova konkursin për mjekësi në Universitetin e Tiranës, ndërkohë që kisha aplikuar për një bursë studimi në Itali. Mes dy zgjedhjeve, vendosa të transferohesha në Itali dhe të studioja në degën e Farmacisë në Trieste. Kështu fillova një rrugëtim pa e ditur saktësisht ku do të më çonte. Eksperienca ime e parë praktike në një farmaci të vjetër, e pajisur me laborator galenik ishte shumë e rëndësishme.

Aty pata mundësinë të punoja drejtpërdrejt në përgatitjen e formulimeve të produkteve të ndryshme, si kremra dermatologjikë, trajtime për flokët, pomada dhe kapsula të personalizuara sipas recetave të mjekëve. Kjo përvojë më bëri të kuptoj se fusha e zhvillimit dhe e formulimit të produkteve kozmetike ishte më afër pasioneve dhe prirjeve të mia sesa profesioni klasik i farmacistit. Për të ndjekur këtë drejtim, vendosa të zhvilloj një tezë eksperimentale, për të cilën fitova një bursë nga Universiteti i Triestes. Projekti përfshinte një stazh 6-mujor në një laborator kozmetik të njohur, veçanërisht për kërkime shkencore dhe zhvillimin e produkteve në Milano,i cili më pas zgjati 9 muaj. Kjo përvojë ishte një hap vendimtar për formimin tim profesional dhe më afroi konkretisht me industrinë kozmetike.

Pas përfundimit të studimeve, u përballa me një zgjedhje tjetër, ndërmjet doktoraturës dhe punës. Vendosa të punoja fillimisht në një industri që merrej me prodhimin e produkteve kozmetike në sasi të mëdha industriale, pa e lënë pas dore ëndrrën për doktoraturën. Në janar të vitit 2016,u punësova në një kompani kozmetike dhe aty hyra si drejtuese e laboratorit duke nisur një fazë të re të karrierës sime profesionale.

Farmacia dhe kimia janë fusha që kërkojnë përkushtim të jashtëzakonshëm. Çfarë ju tërhoqi drejt industrisë kozmetike në veçanti?

Sektori i kozmetikës më tërhoqi sepse është në zhvillim të vazhdueshëm dhe ofron një kombinim unik midis shkencës dhe kreativitetit. Ky profesion kërkon fantazi, vizion, azhornim të vazhdueshëm teknik, por edhe shumë durim, kureshtje dhe intuitë. Mbi të gjitha, kërkon një shpirt vëzhgues dhe aftësinë për të kaluar me lehtësi nga dimensionet laboratorike tek ato industriale. Është një fushë që mëson përmes përvojës praktike, ku njohuritë e grumbulluara shpesh tejkalojnë ato që mund të fitohen në një master. Të gjitha këto përvoja dhe mësime kanë ndikuar në zgjedhjen time për të ndjekur këtë rrugë profesionale.

Doktoratura juaj është fokusuar në teknologjitë e ngjyrosjes dhe zbardhjes së flokëve, sa kërkim ka pasur pas një produkti që për shumë njerëz duket “i zakonshëm”?

Pas çdo produkti që mund të duket “i zakonshëm” qëndron një punë intensive shkencore dhe laboratorike, me kërkime, testime dhe zhvillim të detajuar. Doktoratura ime në kimi zgjati tre vjet dhe ishte e lidhur me projektet e kompanisë ku punoja. Në vitin e parë u përqendrova në kërkimin e lëndëve të para natyrale me aftësi ngjyrosjeje të flokëve, duke identifikuar 10 bimë me potencial. Për secilën bimë zhvillova fillimisht një kërkim bibliografik dhe më pas testova vetitë e tyre në laborator.

Në vitin e dytë zhvillova një linjë produktesh për ngjyrosjen e flokëve me katër nuanca, duke përdorur përbërës natyralë që reduktojnë irritimin e skalpit, dhe optimizova formulimet dhe produktet e tregut për të rritur efektivitetin dhe per te stabilizuar formulat.

Në vitin e tretë u fokusova në zhvillimin e produkteve dekoloruese, ku identifikova një përbërës natyral inovativ që përforcon efektin e dekolorimit dhe ka veti përkujdesëse për flokët. Edhe këtu realizova teste laboratorike të sigurisë dhe optimizova produktet për përdorim praktik.

Sot drejtoni “Visionnaire Cosmetics Lab” në Milano. Cili është vizioni që keni për këtë laborator dhe si e ndryshoni industrinë përmes punës suaj?

“Visionnaire Cosmetics Lab ” me qender në Milano, është një laborator i dedikuar kërkimit shkencor dhe inovacionit në fushën e kozmetikës. I specializuar në krijimin e produkteve për ngjyrosjen dhe kujdesin e flokëve, duke bashkuar cilësinë e lartë me traditën “Made in Italy”. Gjithashtu aty krijohen edhe produkte të tjera kozmetike. Produktet për kujdesjen e lëkurës, për detergjencën, për make-up, për shëndetin e dhëmbëve. Falë metodave shkencore të avancuara, krijohen produkte kozmetike inovative që i përgjigjen nevojave dhe trendeve të tregut. “Visionnaire Cosmetics Lab ” dallon për vlerat e tij të inovacionit, cilësisë dhe qëndrueshmërisë, duke u afirmuar si një pikë referimi në panoramën globale të kozmetikës me projekte të zhvilluara e të njohura ndërkombëtarisht.

Gjithashtu, laboratori bashkepunon me universitet italiane si Universiteti i Milanos, i Torinos dhe i Triestes. Po ashtu edhe me shoqaten Italiane të kimistëve dhe shkencave kozmetike, dhe bën pjesë në rregjistrin e kimisteve të Lombardisë. Së fundi, artikujt e projektet shkencore publikohen ne revistat e specializuara apo prezantohen në kongrese ndërkombëtare mjekësore si në Helsinki-Finlande, Barcelonë -Spanjë, Iguazu-Brazil, Cannes-Francë dhe në vend në
kongreset italiane.

A ka një formulë apo produkt të veçantë që për ju përfaqëson kulmin e inovacionit personalisht dhe profesionalisht?

Sinqerisht, për mua janë më shumë se një produkt që përfaqëson kulmin e inovacionit. Projekti i temës së diplomës ishte i pari, një produkt inovativ për higjienën orale që pati sukses të dukshëm dhe u prezantua në një konferencë organizuar nga shoqata italiane e kimise dhe shkencave kosmetologjike në Milano. Pas kësaj, dy projekte të tjera inovative u prezantuan në konferenca ndërkombëtare: i pari në Barcelonë dhe i dyti në Brazil, të organizuara nga federata ndërkombëtare e shkencës së kimisë dhe e kozmetikës. Projekti i parë ishte një përvojë emocionale e papërsëritshme, debutimi im publik sapo kisha përfunduar universitetin. Dy projektet e tjera më sfiduan përballë një audience ndërkombëtare, në një sallë me mbi 900 pjesëmarrës, ku ndava podiumin me liderë e ekspertët botërorë të shkencës që vinin nga kompani të mëdha botërore si Chanel, Estée Lauder, L’Oréal, Shiseido, etj.

Ju jeni gjithashtu pjesë e komiteteve shkencore ndërkombëtare dhe një mentore për të rinjtë. Sa i rëndësishëm është roli i një mentori në karrierën shkencore?

Roli i një mentori në karrierën shkencore është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Mentorimi ofron udhëzime, përvojë praktike dhe perspektiva të reja, që ndihmojnë të rinjtë të zhvillojnë aftësi analitike, të përballojnë sfidat dhe të eksplorojnë mundësi të reja. Përvoja ime si mentore më ka treguar se çdo rrugëtim mentorimi është një shkëmbim: pyetjet dhe kurioziteti i mentee-ve më ndihmojnë edhe mua të rritem profesionalisht dhe personalisht, duke më bërë më të vetëdijshme, më të qëndrueshme dhe më njerëzore.

Si e shihni rolin e grave në shkencë dhe teknologji? Çfarë ka ndryshuar dhe ku qëndrojnë ende sfidat më të mëdha?

Roli i grave në shkencë dhe teknologji ka ndryshuar dukshëm gjatë viteve, dhe sot ato kontribuojnë në mënyrë të jashtëzakonshme në inovacion, kërkim dhe udhëheqje. Megjithatë, sfidat mbeten, përfshirë përfaqësimin më të ulët në pozicione drejtimi, paragjykimet e pavetëdijshme dhe nevojën për një balancim të qëndrueshëm midis jetës profesionale dhe personale. Mendoj se është thelbësore të kultivojmë një kulturë përfshirjeje, të promovojmë mentorimin dhe rrjetet profesionale, dhe të krijojmë mundësi të barabarta, në mënyrë që secila të shfrytëzojë potencialin e saj maksimal dhe shkenca të përfitojë nga diversiteti i ideve dhe eksperiencave.

Duke qenë aktive në skenën evropiane, si e përjetoni identitetin tuaj shqiptar në një ambient kaq të globalizuar?

Identiteti im shqiptar është një pjesë thelbësore e asaj që jam dhe e perceptoj si një burim force dhe perspektive unike edhe në një kontekst global. Në skenën evropiane, kultura dhe vlerat që kam marrë nga vendi im më ndihmojnë të kontribuoj me një menyre të veçantë dhe të pasuroj bashkëpunimet ndërkombëtare. Për mua, të qëndrosh e lidhur me rrënjët e tua nuk është vetëm një çështje personale, por edhe një mënyrë për të sjellë diversitet dhe kreativitet në projekte dhe iniciativa globale. Identiteti shqiptar më kujton gjithmonë rëndësinë e origjinës, ndërkohë që më sfidon të jem e hapur, fleksibile dhe e angazhuar në një skenë ndërkombëtare.

Cili është raporti juaj me Shqipërinë sot? A ka ndonjë projekt që do të dëshironit ta zhvillonit këtu?

Aktualisht jam pak prezente në Shqipëri për shkak të angazhimeve profesionale dhe personale, por lidhja ime me vendin mbetet jashtëzakonisht e fortë dhe e veçantë. Do të doja shumë të kontribuoja në zhvillimin e Shqipërisë, veçanërisht në fushën e kozmetikës duke sjellë iniciativa të reja që mund të pasurojnë shkencën dhe të hapin një degë studimi të kozmetikës në universitetin shtetëror duke krijuar mundësi për rritje, inovacion dhe zhvillim profesional. Për mua, është e rëndësishme që përvoja ime ndërkombëtare të ofrojë një kontribut me ndikim zhvillues, që të shërbejë komunitetit profesional dhe shoqërisë në tërësi.

Në vendet si Shqipëria, industria kozmetike është ende në zhvillim. A shihni potencial për zhvillimin e një sektori të qëndrueshëm të bazuar në kërkimin shkencor këtu?

Besoj se Shqipëria ka potencial të madh për zhvillimin e një industrie kozmetike të qëndrueshme, të bazuar mbi kërkimin shkencor. Nivelet e larta akademike në kimikë, biologji dhe disiplinat shkencore ofrojnë një bazë të fortë për zhvillim e kesaj dege. Për më tepër, përfshirja e teknologjive të avancuara, si analiza molekulare, formulimet eksperimentale dhe metodologjitë laboratorike sipas standardeve ndërkombëtare, mund të kontribuojë në krijimin e një industrie kozmetike moderne, me ndikim të fortë ekonomik dhe profesional në vend. Me keto kapacitete shkencore, Shqipëria mund te pozicionohet si një aktor i rëndësishëm në rajon dhe në skenën ndërkombëtare.

Për shumë të rinj që ëndërrojnë të ndjekin rrugën tuaj, çfarë do t’u thoshit? Çfarë duhet të dinë përpara se të hyjnë në këtë botë?

Do t’u thoja të rinjve të jenë kuriozë dhe të guximshëm. Bota e shkencës dhe e teknologjisë kërkon përkushtim, këmbëngulje dhe dëshirë për të mësuar vazhdimisht. Para se të hyjnë, duhet të kuptojnë se suksesi nuk vjen vetëm nga talenti, por edhe nga puna e palodhur, pasioni dhe aftësia për të bashkëpunuar me të tjerët. Eksperiencat, keshillat e te tjereve dhe lidhjet profesionale janë shumë të vleshme, ndërsa sfidat dhe gabimet janë pjesë normale e rruges drejt te mesuarit. Gjithashtu, mendoj se është thelbësore për studentët të udhëtojnë dhe të përjetojnë përvoja jashtë vendit, të cilat i vendosin ata në kontakt me kultura të ndryshme, duke u hapur horizontin për të mësuar gjëra të reja, teknologji ose mekanizma pune të specializuar nga mjedise të ndryshme.

Puna kërkimore mund të jetë intensive. Çfarë ju frymëzon çdo ditë për të mos u ndalur? 

Fraza e Steve Jobs, ‘Stay hungry, stay foolish’, më frymëzon çdo ditë. Kurioziteti për të mësuar, për të zbuluar gjëra të reja dhe për të arritur qëllimet më nxit të mos ndalem. Njëkohësisht, më motivon të jem guximtare, të ndjek instiktin tim, të provoj ide të reja dhe të mos kem frikë nga sfidat që has. Pengesat do të jenë gjithmonë pjesë e rrugëtimit, por nëse ndiqni atë që ndieni se është rruga juaj, përkushtimi dhe pasioni do t’ju çojnë drejt objektivit.

Në përvojën tuaj ndërkombëtare, çfarë dallimesh shikoni në mënyrën se si vlerësohet shkenca në Itali dhe në Shqipëri?

Nga përvoja ime ndërkombëtare, dallimi kryesor është mbështetja dhe burimet që i jepen shkencës. Në Itali, ka struktura akademike dhe institucionale të zhvilluara, financime kërkimore dhe mundësi bashkëpunimi ndërkombëtar. Shqipëria ka talente të jashtëzakonshëm dhe potencial të madh, dhe me investime dhe mbështetje më të qëndrueshme, sektori shkencor mund të zhvillohet dhe të ketë ndikim të rëndësishëm.

Si e përkufizoni suksesin sot? A ka ndryshuar ky përkufizim që nga koha kur ishit një studente në Trieste?

Suksesi për mua sot është të ndjek pasionin dhe të jap maksimumin në çdo projekt, duke ndikuar pozitivisht te njerëzit dhe komuniteti përreth. Kur isha studente në Trieste, e shihja kryesisht si arritje akademike apo rezultat individual. Me përvojën, kam kuptuar se sukses i vërtetë është një kombinim i rritjes personale, ndikimit profesional dhe aftësisë për të kontribuar tek të tjerët, duke ruajtur gjithmonë kuriozitetin dhe motivimin për të mësuar.

Dhe për ta përmbyllur me pak më shumë ndjeshmëri, cila është ajo arritje që do të donit që prindërit tuaj ta kishin dëgjuar të parët? 

Do të doja që prindërit e mi të ishin të parët që ta dëgjonin çdo arritje timen, sepse ajo përfaqëson jo vetëm përpjekjet e mia, por edhe mbështetjen dhe vlerat që më kanë transmetuar. Ndaj, ndarja e këtij rrugëtimi me ta do të ishte një moment i veçantë dhe me domethënie të madhe.

Intervistoi: Fatmir Popja

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Zgjedhjet në Kosovë, Bashkimi Europian: Presim tranzicion të rregullt të pushtetit

Bashkimi Europian e përshëndeti rrjedhjen e qetë të procesit...

Balluku: Rrjeti i ri 20 kV në Velipojë, më shumë siguri energjetike për banorët dhe turistët

Velipoja është shndërruar në një qendër të rëndësishme ekonomike...