TIRANË, 02 gusht 2026/Albania Express News/ -Pasi kalon dy tunelet e parë të Rrugës së Arbrit nga Tirana, shitës ambulantë të shumtë dhe struktura tregtare druri që ofrojnë prodhimet e zonës, misra të pjekur, perime e çaj mali të tregojnë se ndodhesh në vendin e duhur për të zbritur nga makina dhe për të marrë shtegun drejt Kalasë së Petralbës.
E njohur edhe si Kalaja e Gurit të Bardhë, Petralba është e vendosur në një kreshtë malore me lartësi 778 metra mbi nivelin e detit sipër luginës së Matit, në bashkinë e Klosit.
Shtegu këmbësor që të çon atje është tërësisht i hapur përveçse pjesës së fundit kur të duhet pak orientim dhe balancë për të çarë mes shkëmbinjve ku ngrihet kalaja e Skënderbeut.
Petralba edhe sipas një tabele që gjendet në shteg, ka qenë nga fortesat kryesore dhe rezidencat e familjes së Kastriotëve. Sipas historianit Marin Barleti dhe gojëdhënave lokale, mendohet se në këtë qytet-kështjellë ka jetuar familja e Gjon Kastriotit dhe dyshohet se mund të ketë lindur vetë heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Pasi je ngjitur në majë, vë re se shumë pak ka mbetur nga madhështia e dikurshme, edhe pse zona duket pothuajse e paeksploruar. Dallohen muret e ngritura me gurë në shkëmb që tregojnë se ka pasur kala, dhe pozicioni i saj sipër luginës që ofron pamje të gjera të fushave, lumenjve dhe malësisë përreth.
Kalaja ndodhet midis fshatit Guri i Bardhë dhe fshatit Fshat që do të thotë se është e arritshme në këmbë duke u nisur nga të dy fshatrat. Natyra ofron gjelbërim edhe në ditët e nxehta të verës pasi shpatet malore janë të mbushura me pemë dhe gëmusha të shumëllojshme.
Zona është pjesë e projektit të “100 Fshatrave” dhe zgjedhje e mirë për adhuruesit e historisë dhe ecjeve në natyrë.
Para ngjitjes së fundit drejt kalasë për çudi gjendemi përpara një godine të madhe e të re ndanë rrugës.
Muzeu Historik-Kulturor i Klosit ndodhet aty i inauguruar por i mbyllur për vizitorët. Ndoshta sepse është verë, ndoshta sepse zona ende nuk pret mjaftueshëm vizitorë por nga jashtë shohim se muzeu është i mirëorganizuar dhe modern.
Siç mësojmë nga tabela projekti u realizua përmes programit të Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin Ndërkufitar Shqipëri–Maqedoni e Veriut, në partneritet midis bashkisë Klos dhe disa organizatave.
Nga burime zyrtare mësojmë se muzeu ruan dhe promovon trashëgiminë e pasur të trevës ku përfshihen elemente të rëndësishme etnografike (veshje tradicionale matjane, vegla pune, objekte të jetës së përditshme) si dhe dëshmi historike të zonës, duke përfshirë lidhjen e fortë me Kastriotët dhe historinë e hershme të prodhimit të barutit në Klos.
Projekti duket është ideuar që së bashku me kalanë mesjetare, fshatin turistik të Gurit të Bardhë të përbëjë një itinerary kulturor e historik.
Rruga e kthimit nga kalaja është po ashtu e hapur dhe të drejton drejt kanionit të lumit Mat. Sa më shumë zbret aq më shumë ndihet freskia e luginës së rrethuar nga gjelbërimi.
Në një pikë përballë shfaqet Ura e Vashës e madhja, pjesë e Rrugës së Arbit në lartësinë e shpateve, ndërsa poshtë ndodhet ura e vjetër, historike e Vashës sipër Matit.
Janë vetëm pak kilometra shteg që të sjellin në një peizazh unik mes dy urave.
Ura e Vashës, urë shekullore guri, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, ndodhet në dalje të një kanioni të ngushtë mbi lumin Mat. Ura ka shërbyer si një urë lidhëse historike dhe natyrore midis Klosit dhe fshatit turistik të Gurit të Bardhë.
Sipas historisë, ura është ndërtuar rreth fillimit të shekullit XVIII (afërsisht 300 vite më parë) si vepër bamirësie nga Haxhi Hajrulla Skura (nga familja e njohur Skuraj e Gurit të Bardhë) për t’u ardhur në ndihmë karvaneve dhe udhëtarëve.
Ata më romantikët mund të zgjedhin të besojnë te legjenda sipas së cilës emri lidhet me një vajzë të re të zonës, e cila nuk mund të martohej ose të kalonte dot në anën tjetër për shkak të rrjedhës së egër të lumit Mat, prandaj familja apo vetë ajo financuan ndërtimin e saj.
Gjithsesi, arkitektura e saj me një hark të vetëm gjysmërrethor është unike për zonën dhe dëshmon aftësitë e larta të mjeshtërve të asaj kohe. E shtruar me kalldrëm, ura është e gjatë 11 etra dhe si element të veçantë ka një dritare shkarkuese në krahun e djathtë që lehtëson presionin e ujit gjatë prurjeve të mëdha. Këmbët e saj mbështeten fort mbi shkëmbinjtë e dy maleve: malit të Vërrithit dhe malit të Dishit.
Ura e Vashës qëndron aty edhe pas 300 vjetëve duke bërë një kontrast të fortë me urën moderne të Rrugës së Arbrit që mban po ashtu emrin e saj.
Ujërat e Matit janë supriza më e dëshiruar e ditës pasi është mesditë dhe vapa ndihet. Por, nëse mendon se mund të freskohesh kollaj, është e gabuar pasi ujërat janë të ftohtë dhe trupi duhet të mësohet me temperaturën.
Pjesa afër urës është shndërruar nga bizneset lokale në një vend pushimi e freskimi në lum, me bar e restorant, çadra e tavolina dhe gatime të shpejta.
Lumi ka ujë mjaftueshëm për not dhe zhytje, ndërsa fëmijët janë ata që e shijojnë më shumë. Uji është i kthjellët dhe reflekton gjelbërimin e shpateve ndërsa mbi urë mund të dallosh deri larg kanionin mes maleve.
Vizitorë të shumtë shijojnë të dielën në këtë oaz freskie, tashmë që rruga që zbret poshtë është e asfaltuar.
Një shteg, dy destinacione që nuk duhen humbur, shumë pranë kryeqytetit, një e dielë ndryshe.

