NGA FATMIR POPJA
LIBRAZHD ,01 gusht 2026/Albania Express News/-KF Korabi dhe KF Sopoti zhvilluan këtë të shtunë një ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. Takimi, i luajtur në fushën sportive të Ahmetaqit në Vorë, u mbyll në barazim 1-1, pas një sfide të luftuar deri në sekondat e fundit.
Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e ekuilibruar, ku të dyja skuadrat krijuan raste, por pa arritur të zhbllokonin rezultatin. Për pasojë, 45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura.
Në fraksionin e dytë të lojës ishte KF Korabi që kaloi i pari në avantazh me Gjonin, i cili finalizoi bukur një aksion të skuadrës dibrane. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt fitores së Korabit, KF Sopoti fitoi një penallti në minutën e fundit, duke e shndërruar në gol dhe duke fiksuar rezultatin përfundimtar 1-1.
Përtej rezultatit, vëmendjen më të madhe në këtë miqësore e tërhoqi futbollisti në provë Antonio Rizvani, i cili u aktivizua për rreth 30 minuta si lojtar në provë me fanellën e KF Sopotit. Edhe pse në karrierën e tij njihet si sulmues, gjatë kësaj sfide ai u provua nga stafi teknik në rolin e mesfushorit, duke lënë përshtypje mjaft të mira me lëvizjet, qarkullimin e topit dhe aftësinë për të lidhur repartet.
Rizvani është 185 centimetra i gjatë dhe konsiderohet një sulmues modern, që ndërthur forcën fizike me teknikën individuale. Ai dallohet për goditjen e fortë, shpejtësinë, aftësinë në driblim, por edhe për gatishmërinë për të ndihmuar skuadrën në ndërtimin e aksioneve dhe krijimin e rasteve për shokët e ekipit.
Karriera e tij ka nisur herët, pasi në moshën 16-vjeçare shënoi tetë gola me ekipin e parë. Më pas, me Kifisia FC në Greqi, realizoi 13 gola dhe 9 asistime brenda një sezoni, një statistikë që e bëri të spikaste në futbollin grek. Sipas statistikave të karrierës së tij, Rizvani ka realizuar qindra gola në ndeshje zyrtare dhe miqësore, ndërsa shumë prej tyre janë cilësuar spektakolarë dhe kanë marrë vlerësime nga specialistët e futbollit në Greqi.
I lindur dhe i rritur në Greqi, si bir i një familjeje emigrantësh me origjinë nga Librazhdi, Antonio Rizvani shihet si një futbollist me potencial, ndërsa paraqitja në miqësoren që KF Sopoti zhvilloi me KF Korabin duket se ka qenë një sinjal pozitiv për stafin teknik të skuadrës.
Formacioni startues i KF Korabit: Kozi, Xhika, Laho, Allmuça, Koleci, Gjinaj, Isteri, Kuka, Reçi, Duro, Marku.
U aktivizuan: Mati, Arapi, Zeqiraj, Bashari, Raza, Deda, Gjoni, Spahiu, Bendo dhe Isaku.
Formacioni startues i KF Sopotit: Alliu, Atanda, Ferhati, Qoshku, Nayara, Momoh, Santiago, Ukaj, Jargavani, Malik, Obina.
U aktivizuan në pjesën e dytë: Aminu, Rachid, Goci, Zena, Troksi, Tanushi, Zuma, Antonio Rizvani, Rroca, Bambaj dhe Bica.Trajner Rrahman Hallaçi


