ELBASAN ,31 korrik 2026/Albania Express News/-AF Elbasani nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 në ndeshjen miqësore ndaj Bylisit, të zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, në një test të rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri të kampionatit. Verdheblutë krijuan disa mundësi të mira për shënim, por mungesa e saktësisë në finalizim bëri që sfida të mbyllej me rrjeta të paprekura.
Trajneri Ivan Gvozdenoviç e shfrytëzoi këtë takim për të aktivizuar pothuajse të gjithë futbollistët që kishte në dispozicion, duke provuar variante të ndryshme taktike dhe duke vlerësuar gjendjen fizike të skuadrës. Edhe pse rezultati nuk solli fitore, stafi teknik mori sinjale të rëndësishme në prag të startit të kampionatit, ndërsa merkatoja mbetet ende e hapur dhe priten afrime të tjera.
Ndeshja nisi me një ritëm të kujdesshëm, me të dyja skuadrat që kërkuan kontrollin e topit dhe ndërtimin e aksioneve nga prapavija. Rasti më i mirë i pjesës së parë për Elbasanin erdhi nga këmbët e Xhakobit, i cili u ndal nga portieri Beqaj në një ndërhyrje vendimtare.
Verdheblutë shtuan presionin me kalimin e minutave dhe në të 38-ën fituan një penallti, që mund t’u jepte avantazhin. Megjithatë, Xhakob nuk arriti ta konkretizonte, pasi Beqaj priti goditjen nga pika e bardhë, duke mbajtur rezultatin të pandryshuar. Në fundin e pjesës së parë reagoi edhe Bylisi, por Bedros nuk arriti të përfitonte nga rasti i krijuar.
Në pjesën e dytë, të dy trajnerët kryen shumë zëvendësime për t’u dhënë minuta lojtarëve të tjerë. Elbasani vazhdoi të kishte më shumë zotërim topi dhe iniciativë, ndërsa Bylisi u mbrojt me disiplinë dhe kërkoi të godiste në kundërsulm.
Rastin më të mirë për miqtë e pati Emini, i cili nuk arriti të mposhtte portierin vendas, ndërsa në anën tjetër verdheblutë hasën vështirësi për të çarë mbrojtjen e organizuar të ballshiotëve. Në minutat e fundit ritmi ra për shkak të zëvendësimeve të shumta dhe loja u zhvillua kryesisht në mesin e fushës.
Në përfundim, sfida u mbyll me rezultatin 0-0, një provë e vlefshme për të dyja skuadrat. Për AF Elbasanin mbetet për t’u përmirësuar efikasiteti në repartin ofensiv dhe automatizmat e lojës, ndërsa Gvozdenoviç vijon punën për ta pasur skuadrën në formën optimale për nisjen e sezonit të ri.

