“Turisti per Caso”: Shtatë ditë në Shqipëri, udhëtim mes magjisë së Rivierës, detit dhe historisë mijëravjeçare

TIRANË ,31 korrik 2026/Albania Express News/-Shqipëria është magjepsëse edhe në pranverë, shtatë ditë mes plazheve, peizazheve dhe historisë mijëravjeçare, shkruan media italiane “Turisti per Caso”.

Nga Gjiri i Vlorës te Riviera Shqiptare, një udhëtim deri në Porto Palermo

Prej disa vitesh, unë dhe bashkëshortja ime zgjedhim ta vizitojmë Shqipërinë në fund të muajit maj.

Çdo vit përpiqemi të zbulojmë një zonë të re dhe këtë herë vendosëm të eksploronim Gjirin e Vlorës. Ky është rrëfimi ynë i udhëtimit.

Shqipëria në maj – Ditari i një Udhëtimi

Dita e parë – Orikumi

Të shtunën, më 23 maj, u nisëm në orët e para të pasdites nga aeroporti “Cristoforo Colombo” i Gjenovës, për të udhëruar me kompaninë low cost “Wizz Air”.

Si zakonisht, udhëtuam vetëm me çantën e shpinës dhe për vetëm 80 euro arritëm të siguronim biletat vajtje-ardhje për dy persona.

Po, është e vërtetë, vetëm 20 euro për person për një drejtim!

Në orën 16:00 mbërritëmnë aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës.

Destinacioni ynë ishte Orikumi, qyteti i vogël në skajin jugor të Gjirit të Vlorës, ku mbërritëm pas rreth tre orësh udhëtim me një “Fiat Panda” të marrë me qira në aeroport.

Zgjodhëm Orikumin për plazhet e tij të bukura, por edhe për pozicionin strategjik, që na mundëson të eksplorojmë lehtësisht si pjesën veriore të Gjirit të Vlorës, ashtu edhe Rivierën shqiptare deri në Porto Palermo.

Për më tepër, qyteti na ofron qetësinë e një destinacioni turistik larg zhurmës.

Qëndrimi ynë zgjati gjashtë net në hotelin “Sunrise Resort”, në një dhomë me pamje nga deti dhe ballkon, me mëngjes të përfshirë, për vetëm 34 euro nata për dy persona.

Një çmim që përkthehet në vetëm 17 euro për person.

Dita e dytë – Gjiri i Vlorës

Në mëngjes u nisëm drejt manastirit ortodoks të Zvërnecit, i vendosur në një ishull të vogël në lagunën e Nartës.

Manastiri lidhet me fshatin Zvërnec përmes një ure të bukur prej druri, rreth 300 metra të gjatë.

Gjatë kthimit ndaluam në Vlorë, qyteti që shtrihet përgjatë gjirit me të njëjtin emër dhe ofron një panoramë mbresëlënëse, me ishullin e Sazanit në sfond.

Vizituam qendrën historike të Muradies, ku ndërthuren elemente të arkitekturës italiane të shekullit XIX me ndikimet osmane.

Një nga monumentet më të rëndësishme është Xhamia e Plumbit, e ndërtuar në fund të shekullit XVI.

Më pas ndaluam në Kalanë e Kaninës, e cila ndodhet në një pozicion të jashtëzakonshëm panoramik.

Nga kalaja mesjetare sot kanë mbetur kryesisht muret rrethuese, por pamja që ofron mbi gjirin e Vlorës është spektakolare.

Në mbrëmje shëtitëm në Orikum dhe darkuam me peshk të freskët të sapokapur.

Një vakt i plotë me peshk, pije, kafe dhe raki kushton rreth 20 euro për person.

Dita e tretë – Dhërmiu

Në mëngjes udhëtuam drejt jugut, në Dhërmi, një nga perlat e Rivierës shqiptare.

Fshati shtrihet pranë një prej zonave më të bukura bregdetare të vendit, me ujëra të kristalta dhe plazhe të bardha.

Pas tij ngrihen Malet e Vetëtimës, që arrijnë deri në 2000 metra lartësi dhe zbresin thuajse vertikalisht drejt detit, duke krijuar një panoramë mahnitëse.

Dita e katërt – Tragjasi

Këtë ditë e kaluam duke pushuar në plazhin publik të Orikumit.

Në mbrëmje u ngjitëm drejt fshatit malor të Tragjasit, ku shijuam mish qengji dhe dhallë, një pije tradicionale shqiptare e përgatitur me kos, ujë dhe kripë.

Në këtë zonë rurale, gjatë një darke në një tavernë tradicionale, është e zakonshme të shohësh tufa bagëtish që kalojnë pranë, duke ruajtur ende gjallërinë dhe autenticitetin e jetës së fshatit shqiptar.

Dita e pestë – Porto Palermo dhe Himara

U nisëm drejt Porto Palermos, duke ndjekur rrugën panoramike bregdetare SH8, një nga segmentet më të bukura të Rivierës Shqiptare.

Kalaja e Porto Palermos ndodhet në një gadishull të vogël, brenda një gjiri të mbrojtur natyrshëm.

E lidhur me tokën përmes një rripi të ngushtë, ajo është lehtësisht e arritshme në këmbë.

Pozicioni i saj strategjik e ka bërë këtë zonë të rëndësishme për shekuj me radhë dhe sot mbetet një nga pikat më spektakolare panoramike të bregdetit shqiptar.

Në kthim ndaluam në Himarë, për të shijuar detin e mrekullueshëm dhe ujërat e saj të pastra.

Dita e gjashtë – Plazhi i Orikumit

E kaluam të gjithë ditën në plazhin e Orikumit, duke shijuar qetësinë, detin dhe diellin.

Për një çadër dhe dy shezlongë paguam vetëm 10 euro.

Dita e shtatë – Manastiri i Ardenicës

Ditën e fundit e kaluam në Orikum. Meqë fluturimi ynë ishte mëngjesin e ditës tjetër, vendosim të kalonim natën pranë aeroportit, për të shmangur zgjimin herët.

Gjatë rrugës vizituam manastirin ortodoks të Ardenicës, një monument i rëndësishëm historik, i njohur – ku u zhvillua martesa e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në vitin 1451.

Në darkë provuam për herë të fundit, një nga ëmbëlsirat më të njohura shqiptare – trileçen, e përgatitur me tre lloje qumështi.

Dita e tetë – Kthimi

Të shtunën, më 30 maj, morëm fluturimin e kthimit.

Kishim vetëm kohën për të shkuar në aeroport dhe për të ngrënë mëngjes.

Këtu bëmë një gabim, dy kafe dhe dy brioshë në aeroport kushtojnë rreth 14 euro, një çmim shumë i lartë krahasuar me kafenetë shqiptare, ku një kafe kushton vetëm 50–70 centë.

Prandaj këshilla jonë është që të shmangni ushqimin në aeroport.

E vetmja gjë që mund të konsiderohet më ekonomike janë cigaret, të cilat kushtojnë rreth gjysmën e çmimit krahasuar me Italinë.

Por, për ata që nuk pijnë duhan, kursimi është edhe më i madh.

Ky udhëtim na tregoi edhe një herë se Shqipëria në pranverë, ofron një kombinim të rrallë mes detit, natyrës, historisë dhe mikpritjes, duke mbetur një destinacion që ia vlen të zbulohet.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Ish deputeti i PD Muslim Murrizi shpërthen ndaj ish sekretares së PD që u bë drejtoreshë e Ramës

Nga Myslym Murrizi TIRANË ,31 korrik 2026/Albania Express News/-Per te...

Zjarr në zonën e Krastës, ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve të Elbasanit shmang përhapjen e flakëve

Elbasan ,31 korrik 2026/Albania Express News/-Shërbimi i Mbrojtjes nga...

Ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare Franco Baresi, legjenda e Milanit dhe kombëtares së Italisë

ITALI ,31 korrik 2026/Albania Express News/-Një zi e rëndë...

Dy të rinj shqiptarë humbin jetën në një aksident me motoçikletë në Kretë, identifikohen viktimat, njëri nga Elbasani

GREQI ,31 korrik 2026/Albania Express News/-Dy shtetas shqiptarë kanë...